
Viti i ri shkollor 2025-2026 nis zyrtarisht sot më 8 shtator, për rreth 345 mijë nxënës në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, këtë vit shkollor do të angazhohen rreth 31 mijë mësues, ndërkohë që është forcuar mbështetja për nxënësit me aftësi të kufizuara.
Në këtë kuadër, janë angazhuar 2,260 mësues ndihmës, një rritje me 150 më shumë krahasuar me vitin 2024.
Për të lehtësuar aksesin në arsim, transporti falas do të ofrohet për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues në zonat rurale apo të largëta.
Gjithashtu, janë vënë në dispozicion 3,500 bursa për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje financiare.
Ky vit shkollor nis me 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara, si dhe me 340 laboratorë SMART, të cilët synojnë të përmirësojnë mësimdhënien në lëndët shkencore dhe teknologjike.
Ndërkohë, rreth 236 mijë nxënës janë pajisur me tekste shkollore falas, në kuadër të politikave të mbështetjes sociale dhe barazisë në arsim.



