Koordinatorja kombëtare e “Rrjetit Barazi në Vendimmarrje”, Edlira Çepani, flet për një raport që organizata ka bërë lidhur me financat e partive dhe aksesin e kandidatëve në financat e partive politike.
“Vetëm 12% e kandidatëve kanë informacion se sa para publike marrin partitë, ka mungesë transparence për mënyrën e menaxhimit të fondve publike. Kuptuam që partitë politike, gjatë funksionimit normal të tyre marrin miliona para nga buxheti i shtetit. Lind pyetja si është mekanizmi që këto para publike shpërndahen për të mbështetur kandidatët gjatë fushatave zgjedhore, sidomos të disavantazhuarave siç janë vajzat dhe gratë. Nga studimi rezultoi se vetëfinancimi ishte baza e kandidatëve në zgjedhje për të ngritur fushatën e tyre, evtëm 8% e tyre deklaruan se përfitonin diçka si mbështetje”, u shpreh Çepani.
Më tej shtoi se rezultoi se edhe në përzgjedhjen e kandidatëve dhe në garën për fushatën zgjedhore, janë shumë të rëndësishme financat qoftë publike, qoftë personale dhe ato që mund të merren nga donatorë të ndryshme.
Sipas saj, problematika është se si këto financa nuk garantojnë garën e barabartë brenda partive, pasi nëse vetëfinancimi është pika kyçe, atëherë zgjidhen kandidatë të pasur dhe që këtu nis pabarazia.
Ajo sugjeroi që institucionet dhe veçanërisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të informojnë kandidatët lidhur me financimet.
Si problematikë cilësoi aksesin e paktë në media të vajzave dhe grave kandidate në media dhe se atyre iu kushton më shumë dalja në media.



