
Një shtypje vdekjeprurëse e protestave të udhëhequra nga studentët në Bangladesh vitin e kaluar u autorizua nga kryeministrja e atëhershëme Sheikh Hasina, sipas një audioje të një prej telefonatave të saj të verifikuara nga BBC Eye.
Në audion, e cila u publikua në internet në mars, Hasina thotë se autorizoi forcat e saj të sigurisë të “përdorin armë vdekjeprurëse” kundër protestuesve dhe se “kudo që t’i gjejnë, do të qëllojnë”.
Prokurorët në Bangladesh planifikojnë ta përdorin regjistrimin si provë vendimtare kundër Hasinës, e cila po gjykohet në mungesë në një gjykatë të posaçme për krime kundër njerëzimit.
Sipas hetuesve të OKB-së deri në 1400 persona vdiqën në trazirat e verës së kaluar. Hasina, e cila iku në Indi, dhe partia e saj i hedhin poshtë të gjitha akuzat kundër saj.
Një zëdhënëse e partisë së saj Lidhja Awami mohoi se audio tregonte ndonjë "qëllim të paligjshëm" të "përgjigjes joproporcionale".
Audioja e publikuar e bisedës së Hasinës me një zyrtar të lartë qeveritar të paidentifikuar është prova më domethënëse deri më tani se ajo dha autorizim të drejtpërdrejtë për të qëlluar protestuesit antiqeveritarë, dhjetëra mijëra prej të cilëve kishin dalë në rrugë verën e kaluar.
Protestat filluan kundër kuotave të punës në shërbimin civil për të afërmit e atyre që luftuan në luftën e pavarësisë së vitit 1971 dhe u përshkallëzuan në një lëvizje masive që rrëzoi Hasinën, e cila kishte qenë në pushtet për 15 vjet. Ishin ndër protestat më të dhunshme që Bangladeshi kishte parë që nga lufta e vitit 1971.



