
Kryedemokrati Sali Berisha reagon lidhur me protestën e studentëve të Mjekësisë, për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për punë me detyrim në Shqipëri për 5 vite dhe më pas iu lind e drejta të tërheqin diplomën, duke e cilësuar si ligj ndëshkues. Në fjalën e tij në parlament, Berisha tha se kalimi i projektligjit për konsultim në mënyrë të përshpejtuar, çon në shkatërrimi8n e Fakultetit të Mjekësisë. “Akti i tillë është i pashembullt. I bëj thirrje studentëve të fakulteteve të tjera që t’u bashkohen studentëve të mjekësisë se kauza e tyre është e drejtë. Se ndëshkimi që u bëhet atyre është një atavizëm e regjimit të etërve të tyre. U bëj thirrje prindërve të mbështesin kauzën e drejtë të fëmijëve të tyre. Kjo ndodh në Kuvend sepse keni vjedhur 138 miliardë në një vit. Dhe jeni të gatshëm të vidhni vitin tjetër 150 miliardë. Në vend që të mendoni të kundërtën, të caktoni rroga të larta, të dy ose trefishoni rrogat e mjekëve dhe t’i jepni vendit sistemin që meriton. E keni mirë ju se nuk mjekoheni në spitalet tona. E keni mirë se nuk doni t’ia dini për përkeqësimin e treguesve shëndetësore nga viti në vit. Dhe tani eureka, të votojmë ligjin për të ndëshkuar studentët, për të ndëshkuar të drejtën e zgjedhjes së të rinjve. Kërkoj tërheqjen e këtij ligji si një ligj atavist, si një ligj antidemokratik, si një ligj që shkelmon të drejtat dhe liritë e studentëve shqiptarë.”



