Avokati Kujtim Cakrani në një lidhje Skype me ‘MCN Live’ komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili ditën e djeshme vlerësoi AKSHI-n dhe ish-drejtorin e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj.
Cakrani tha se “AKSHI është organizata kriminale më e madhe në vend”, dhe kritikoi mënyrën se si kryeministri Rama ka mbrojtur këtë institucion.
Unë i referohem zv/kryeministrit Ahmetaj; kur ka folur për AKSHIn, kush nuk e ka besuar thoshte ‘çfarë gënjeshtrash po thotë ky’. Ky është rasti i parë që SPAK ka kërkuar masa arresti për një grup të strukturuar kriminal, dhe ne jemi të tronditur.
Ai shtoi se biznesmenët e kanë përdorur AKSHI-n për përfitime personale dhe se mënyra si Rama mbrojti institucionin është problematike.
Çdo biznesmen kërkon të korruptojë politikanët, dhe mënyra që Rama ka gjetur për të mbrojtur AKSHI-n është gjëja më e keqe, sepse vetë është i përfshirë në këtë ndërmarrje.
Cakrani komentoi edhe situatën e platformës e-Albania.
E-Albania sot nuk ofron më shërbime për qytetarët. Ky është një alarm, sepse institucioni ka thithur pafund para nga buxheti dhe tani është jashtë shërbimit. Kjo shqetëson edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, pasi aty ruhen të dhëna të shqiptarëve dhe të huajve që vijnë në Shqipëri.
Duke iu referuar deklaratës së Ramës se nuk kishte dijeni për kompanitë që po hetohen, Cakrani tha: “Ai nuk di se kush fiton tenderat; këto tendera përfitohen nga njerëz afër pushtetit. Në Shqipëri nuk ekziston konkurrenca e lirë. Individi emërohet nga kryeministri, kemi një ekonomi të centralizuar. I gjithë shteti është i kapur nga një sistem kriminal që prodhon nepotizëm dhe korrupsion.”
Ai përfundoi me një paralajmërim për rrezikun e privatizimit të të dhënave të qytetarëve.
AKSHI ka të dhëna sensitive të çdo shqiptari, dhe tashmë do të kalojnë në dorën e privatit. Këto të dhëna mund të përdoren nga media për të ekspozuar dhe dëmtuar qytetarët. Ky është një rrezik i madh që na kanoset.



