Një sërë protestash janë mbajtur ditët e fundit në qytete të ndryshme të Britanisë së Madhe kundër politikave të qeverisë për emigracionin. Sipas medieve britanike, grupet i marrin mesazhet në Telegram dhe më pas i përhapin në X dhe Tik Tok. Në protesta ka pasur edhe përplasje me policinë.

Nga Londra, avokati Naim Hasani tha se protestat janë organizuar nga ekstremistë të djathtë që duan largimin e çdo të huaji që jeton në Britani.

Ka një javë që banda ose elementë kriminalë që veprojnë për një organizatë ilegale me qëllim mbajtjen e Britanisë pa të huaj dhe emigrantë. Protestat fillimisht ishin për vdekjen e tre vajzave të vogla, pas një sulmi nga një i ri në një shkollë verore. Ajo që është e rëndësishme është që këto protesta nuk kanë të bëjnë me atë që ka ndodhur një javë më parë. Janë protesta që organizohen nga ekstremistë të djathtë që duan largimin e çdo të huaji që jeton në Britani. Është agjendë e ekstremit të djathtë dhe këto grupe kriminale kanë për qëllim: frikësimin e të huajve që jetojnë në Britani dhe avancimin e një kauze për mbajtjen e Britanisë pa të huaj.

Sipas Hasanit, organizatat e ekstremit të djathtë kanë vite që veprojnë në Britani.

Ka vite që këto organizata veprojnë. Eksponenti kryesor i tyre është Tony Robinson, i cili gjatë kohës që po zhvillohen këto protesta ndodhet në Qipro.

Duke u ndalur te situata në të cilën i vendos shqiptarët kjo valë protestash, Hasani gjeti rastin të përcillte një mesazh për ta.

Jemi në një situatë të tillë që ka me mijëra shqiptarë që jetojnë në Britani. Ata duhet të mbështesin punën e policisë, të jenë vigjilentë dhe të mos bëhen pjesë e asnjë grupi. Në rast se bëhen objekt i një sulmi të këtyre elementëve vandalë, të kërkojnë ndihmën e policisë. Politikat e qeverisë aktuale e sjellin atë më afër se kurrë me qytetarët britanikë.