Një histori si nëpër filma, e cila po flitet në të gjithë Izraelin flet për rastin që po shkakton diskutime në gjithë vendin dhe në autoritetet më të larta të shtetit, si dhe në botën politike dhe gjyqësore.
Gjithçka pasi një gardiane burgu, e cila shërbente në një burg të sigurisë maksimale pranoi se kishte marrëdhënie seksuale me një të burgosur palestinez.
Ajo që dihet menjëherë është se reagimi i autoriteteve izraelite ishte i menjëhershëm, siç shkruan BBC, duke cituar mediat lokale, përgjegjësit për sistemin e burgjeve izraelite pas ngjarjeve vendosën që gardianet femra të burgut të mos shërbejnë më në burgjet e vendit.
Sipas ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, nga mesi i vitit 2025 nuk do të mbetet asnjë ushtare femër në burgjet e sigurisë së lartë.
Faktet dolën në dritë pasi ushtarja femër e përfshirë, e cila ishte duke kryer shërbimin ushtarak, të detyrueshëm për shumicën e izraelitëve, zbuloi gjatë një marrje në pyetje se kishte pasur intimitet me një të burgosur palestinez, përgjegjës për një sulm vdekjeprurës ndaj civilëve izraelitë, për të cilin ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Emrat e gardianes dhe të të burgosurit nuk janë bërë të ditur. Gjykata që trajtonte çështjen urdhëroi gjithashtu që të mos zbulonte detaje të tjera, përfshirë vendndodhjen e burgut. Megjithatë, media izraelite raportoi se gjatë marrjes në pyetje ushtarja e arrestuar zbuloi se edhe katër gra të tjera kishin marrëdhënie intime me të njëjtin burrë.
Vitin e kaluar, kujton BBC, disa ministra izraelitë urdhëruan një hetim pas shpërthimit të një skandali të ngjashëm pasi rezultoi se të burgosurit palestinezë kishin sulmuar dhe përdhunuar ushtare femra në një burg që shërbenin si roje burgu, madje dukej se disa oficerë të lartë kishin “përfituar” edhe nga rekrutët.



