
Për rreth tre orë, opozita ka protestuar mbrëmjen e së dielës para Kryeministrisë dhe Parlamentit. Manifestimi i opozitës nisi në orën 19:00 para selisë së Kryeministrisë, ku u hodhën parulla kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama. Më pas protestuesit u zhvendosën drejt Parlamentit, ku u hodhën tymuese dhe fishekzjarre, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës. Policia u ka bërë thirrje protestuesve të mos hedhin lëndë piroteknike, ndërsa thirrje për qetësi kanë bërë edhe vetë organizatorët e protestës.
Tensionimi i situatës u pasua me të lënduar si nga radhët e protestuesve, edhe te punonjësit e policisë: 10 policë dhe 3 qytetarë.
Të lënduarit u dërguan në Spitalin e Traumës, ku pati një përplasje verbale mes ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, me ish-deputetin e PD-së, Bardh Spahia.
Pas protestës, policia ka shoqëruar 40 persona, ndërsa 30 janë arrestuar.
Pjesë nga debati
Lleshaj: Me çfarë statusi jeni ju këtu?
Spahia: Jemi me statusin e përfaqësuesve të opozitës, të vërtetës jo të atyre që keni bërë ju…
Lleshaj: S’e kuptoj se çfarë statusi keni ju.
Spahia: Kur u bane ti ministër, imagjino çfarë statusi duhet…me mua flet ti ashtu? Të shkon mendja? Mbaj përgjegjësi aty për dëmtimet e policëve dhe qytetarëve.
Bardhi: Të përcjellin avokatët e tu… e keni të afërt fundin. Çfarë është kjo, edhe serbët nuk sillen kështu, shikoni çfarë i keni bërë qytetarëve, shko vizitoji, shko vizitoji…
Lleshaj: Kush ua ka bërë qytetarëve?! Unë u jap dorën edhe qytetarëve, edhe policëve mor i pafytyrë!
Basha: Protesta e sotme, një asamble e padëgjuar e demokracisë
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, e cilësoi një asamble të padëgjuar të demokracisë protestën e sotme. në fjalimin para protestuesve demokratë, Basha u shpreh se protesta e sotme është bashkimi popullor i shqiptarëve të vjedhur nga qeveria.
“Bashkim i paparë asnjëherë. Jemi mbledhur dhe kemi kthyer në sukses këtë energji e vendosmëri. Dua t’ju shpreh mirënjohjen time, por kam nderin e privilegjin t’ju shpreh mirënjohje në emër të gjithë shqiptarëve për këtë asamble të paparë e të padëgjuar të lirisë e demokracisë. Të mbledhur kaq të vendosur të prerë që sot ushton për ta dëgjuar e gjithë bota, Rama ik. Ky bashkim popullor, është bashkimi i shqiptarëve të vjedhur, të shtypur, të dhunuar, të nëpërkëmbur, të mashtruar, tradhtuar nga një bandë kriminale që nuk mund të jetë qeveria e shqipërisë dhe një kryehajdut, i të gjitha kohërave. Le ta dëgjojë deri në bunker zërin tuaj, vendimin tuaj: Rama ik..”, tha Basha.
Opozita nis protestën para Kryeministrisë
Opozita ka nisur protestën e saj të radhës para Kryeministrisë. Ashtu siç ishte parashikuar, pavarësisht kushteve të pafavorshme të motit, protestuesit janë mbledhur para ndërtesës së qeverisë në orën 19:00.
Për mbarëvajtjen e protestës janë angazhuar 1700 efektive policie.
Partia Demokratike ka kërkuar një marshim protestë nga ora 19:00 deri në mesnatë, por policia e Tiranës ka dhënë leje deri në orën 21:00.
Protesta e sotme ndjek atë të së shtunës së kaluar, kur mbështetësit e opozitës protestuan për rreth 2 orë, në një manifestim pa incidente.
Pak orë para nisjes së kësaj proteste, kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, u shpreh se asnjë nga drejtuesit e opozitës nuk do të bëjnë thirrje për dhunë dhe incidente.
Për mikrofonin e Tema TV, Këlliçi thotë se kjo protestë do ta nxisë kryeministrin Rama t’i përgjigjet kërkesës së opozitës



