
Kreu i Bankës Botërore ka paralajmëruar se pushtimi rus i Ukrainës mund të çojë në një recesion global, pasi çmimet e ushqimit, energjisë dhe plehrave po rriten.
David Malpass tha se shumë vende evropiane janë ende shumë të varura nga Rusia për naftë dhe gaz. Ai shtoi se lëvizjet e Rusisë për të shkurtuar furnizimet me gaz mund të shkaktojnë një ngadalësim të konsiderueshëm në rajon.
Malpass theksoi se çmimet më të larta të energjisë po rëndojnë tashmë Gjermaninë, një nga ekonomitë më të mëdha në botë.
Rusia dhe Ukraina janë disa nga prodhuesit më të mëdhenj të plehrave dhe ushqimit, dhe Malpass, duke folur dje në SHBA, tha se vendet në zhvillim tashmë po preken nga mungesat.



