Kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Garibachvili jep dorëheqjen, duke njoftuar se do të bëhet president i partisë në pushtet përpara zgjedhjeve parlamentare të tetorit.
Garibachvili, në detyrën e kryeministrit që nga shkurti i vitit 2021, njoftoi dorëheqjen e tij nga qeveria të hënën, përpara zgjedhjeve legjislative të planifikuara për vjeshtën e ardhshme.
“Sot po lë postin tim si kryeministër”, deklaroi Irakli Garibachvili në një fjalim në televizionin gjeorgjian.
Kryeministri i dorëhequr, i cili kishte udhëhequr qeverinë midis 2013 dhe 2015, saktësoi se më 1 shkurt do të bëhej president i “Ëndrrës Gjeorgjiane”, partisë në pushtet e themeluar nga biznesmeni Bidzina Ivanishvili.
“Ëndrra Gjeorgjiane duhet të përgatitet për një fitore bindëse në zgjedhjet legjislative në tetor”, tha 41-vjeçari në fjalimin e dorëheqjes.
Ky vendim vjen një muaj pas kthimit në skenën politike të oligarkut Bidzina Ivanishvili, njeriu më i pasur në Gjeorgji dhe të cilin shumë e konsiderojnë se po tërheq fijet e pushtetit në vitet e fundit.
Në dhjetor 2023, ai mori postin e presidentit nderi të “Ëndrrës Gjeorgjiane”, të cilën vëzhguesit e kishin analizuar si hapin e parë drejt një pjesëmarrjeje më aktive të biznesmenit në politikën kombëtare.
Sipas televizionit pro-qeveritar Imedi TV, Irakli Garibachvili do të zëvendësohet nga lideri aktual i Ëndrrës Gjeorgjiane dhe i afërt me Bidzina Ivanishvili, Irakli Kobakhidze, 45 vjeç.
Gjeorgjia ka hyrë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian muajt e fundit, por Brukseli po kërkon fillimisht reforma gjyqësore dhe zgjedhore nga Tblisi, duke përfshirë uljen e korrupsionit në vend.



