
Kreu i shtetit, Ilir Meta, ftoi sërish shqiptarët në protestën e 2 marsit. Në një postim në Facebook, Presidenti thotë se vendi është i rrezikuar nga organizata mafioze në pushtet dhe celula lokale e një organizate ndërkombëtare, që sipas tij lakmon territorin tonë.
“Zgjohuni për të kuptuar se beteja për Gjykatën Kushtetuese është një betejë vendimtare për secilin prej jush dhe jo vetëm për të ardhmen e demokracisë, por dhe për vetë ekzistencën e shtetit dhe të kombit tonë që janë më të rrezikuar se kurrë nga kjo organizatë mafioze në pushtet, celulë lokale e një organizate ndërkombëtare që lakmon territorin tonë, mjaft strategjik nga ana gjeopolitike edhe për shumë veprimtari kriminale me përfitime të jashtëzakonshme.Kjo është një organizatë mjaft e strukturuar, me një program të qartë të instalimit të një regjimi satrap që dhunon çdo ditë të drejtat e shqiptarëve dhe që përmes kapjes mafioze të Gjykatës Kushtetuese synon t'i asgjësojë të drejtat demokratike dhe legjitime të tyre përgjithmonë duke i vendosur vetëm përballë dy zgjedhjeve: nënshtrimit pa kushte ose shpopullimit”, shkroi Meta në rrjetet sociale.
Këtë thirrje, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e cilësoi kapriçio personale e presidentit. “Rruga europiane e Shqipërisë të cilën e mbështesin më shumë se 97 % nuk mund të dëmtohet nga asnjë kapriço personale e asnjë individi”, tha ai sot paradite.
Balla u kërkoi mediave të mos i japin rëndësi thirrjes së presidentit, të cilën e quajti histori idioteske.
“Ka individë që harrojnë se halli personal nuk mund të mbivendoset mbi aspiratat e integrimit europian, prandaj dua t’ju them shumë qartë e do t’ju kërkoja mirëkuptimin tuaj, mos harxhoni më kot me transmetime pa fund të historive idioteske grushte e mos grushte shteti. Duhet të jemi në një moment ku vëmendja e shqiptarëve të jetë tek procesi i rindërtimit”, tha ai.
Balla tha se Meta është një prej aktorëve të lidershipit të opozitës.
"Ilir Meta mund të marrë pjesë lirisht në tryezat që Lulzim Basha organizon në selinë e PD”, u shpreh Balla



