Teksa për pak orë pritet mbyllja e numërimit të votave në gjashtë bashkitë ku të dielën u mbajtën zgjedhjet e pjesshme, kryedemokrati Lulzim Basha, po shkon drejt renditjes i treti në pesë bashki, përveç asaj të Rrogozhinës ku u rendit i dyti.
Por përballë mposhtjes nga Edi Rama dhe zhvlerësimit të votave nga “Shtëpia e Lirisë” e Sali Berishës, Lulzim Basha u shfaq paraditen e kësaj të hëne, për të uruar 7 Marsin.
“Gëzuar 7 Marsin”, tha ai i buzëqeshur, teksa bisedonte me mësues dhe pedagogë. Ai shtoi se dita e sotme është ditë për të reflektuar që 7 marset e tjerë të mos i gjejnë mësuesit në këtë situatë, por për votimet nuk u tha asnjë fjalë.
“Nuk mund të jemi drejt një tryeze feste, pasi situata në vend që të vijë duke u përmirësuar, ka ardhur duke u përkeqësuar. Mësuesve dhe pedagogëve, në vend që përmes reformave t’iu ofrohen kushtet, sot ndodhen më keq krahasuar me mësuesit e rajonit dhe në pozita mjaft të pafavorshme”.



