
Ministri i shëndetësisë i Gjermanisë tha këtë të hënë se rritja e shpejtë e rasteve të koronavirusit do të thotë se ka të ngjarë që të gjithë në vend që nuk janë vaksinuar do të jenë infektuar me Covid-19 deri në fund të dimrit dhe disa prej tyre do të vdesin.
Shifrat zyrtare të hënën treguan më shumë se 30,000 raste të reja të konfirmuara në Gjermani gjatë 24 orëve të fundit, një rritje prej rreth 50% krahasuar me një javë më parë. Vendi pritet këtë javë të kalojë 100,000 vdekje të lidhura me koronavirusin që nga fillimi i pandemisë.
Spitalet kanë paralajmëruar se kapacitetet e ICU janë pothuajse të shteruara, me disa pacientë që duhet të transferohen në klinika të tjera larg.
Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn u bëri thirrje gjermanëve që të vaksinohen, duke përfshirë edhe vaksinat përforcuese nëse raundi i parë i vaksinimit ka ndodhur më shumë se gjashtë muaj më parë, për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të rënda.
"Deri në fund të këtij dimri pothuajse të gjithë në Gjermani, do të jenë vaksinuar, shëruar ose kenë vdekur," u tha Spahn gazetarëve në Berlin.
Ai pranoi se disa e kishin përshkruar këtë pikëpamje si cinike. "Por është e vërtetë. Me variantin delta shumë ngjitës kjo është shumë, shumë e mundshme dhe kjo është arsyeja pse ne rekomandojmë vaksinimin kaq urgjent", tha Spahn.
Spahn tha se rreth 50 milionë doza të vaksinave Moderna dhe BioNtech-Pfizer do të vihen në dispozicion për pjesën tjetër të vitit për t'i lejuar njerëzit të marrin vaksinën e parë, të dytë ose të tretë, sipas nevojës.
Rreth 68% e popullsisë në Gjermani është vaksinuar plotësisht. Ekspertët thonë se një normë mbi 75% në të gjithë popullsinë është e nevojshme.
Shteti jugor ka parë shkallën e dytë më të lartë të infeksionit kohët e fundit, pas Saksonisë në verilindje. Pavarësisht shkallës së lartë të infeksionit tek fëmijët, shkollat mbeten të hapura në Gjermani.
Spahn, ministri i shëndetësisë, tha se pret që Bashkimi Evropian të miratojë vaksinat kundër Covid-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç në fund të javës.
BE do të fillojë dërgimin e vaksinave të përshtatura për fëmijët më të vegjël më 20 dhjetor, me Gjermaninë që fillimisht do të marrë 2.4 milionë doza, tha ai.



