Drejtori i Menaxhimit të Riskut dhe Koordinimit të Kontrollit Zyrtar, Martin Jorgaqi, për tre ngarkesat me mandarina të kthyera për shkak të ngarkesës së lartë me pesticide, deklaroi se zbulimi erdhi nga analizat laboratorike që Kroacia iu bëri këtyre ngarkesave të cilat kanë shkuar me afate kohore të distancuara nga njëra tjetra dhe rezultuan me pesticide mbi normën e BE.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, Jorgaqi tha se dy raste janë kthyer mbrapsht dhe rasti i tretë produkti qëndron akoma në Kroaci dhe gjasat janë që shkatërrimi i këtij produkti të ndodh në vendin e destinacionit.
Sipas tij, tre sasitë e kapura kanë qenë të prodhuara enkas për eksport nga fermerët dhe se nga mandarinat me pesticide nuk ka në tregun vendas.

Pikat e AKU në pikat doganore janë në gatishmëri që të marrin masat e duhura për bllokim dhe asgjësimin e këtij produkti, siç ka ndodhur në dy rastet e mëparshme.
Në rastin e parë produkti është asgjësuar nga vetë fermerët, ndërsa rasti i dytë në bashkëpunim me institucionet, AKU do të kryejë asgjësimin së bashku me Inspektoriatin e Mjedisit dhe Drejtorinë e Taksave dhe Tatimeve Fier.
Në rastin e parë kjo nuk u bë e mundur pasi vetë subjekti zgjodhi të mos e respektojë këtë protokoll për këtë arsye u bë bllokimi i aktivitetit të subjektit dhe gjoba.
Për fruta perimet nuk mund të kryhet asgjësimi në laborator. Problematika me pesticidet është shumë e gjerë dhe prania e pesticidit në një frut apo perime është i lidhur drejtpërdrejtë me përdorimin e këtij pesticidi.
Shkak tjetër është faktor ambiental, ku përhapja e këtij pesticidi mund të bëhet nëpërmjet ajrit, tokës apo ujit që jep rezultate negative në praninë e këtyre pesticideve në fruta perime.
Nga analizat laboratorike që BE na kanë sjellë jemi në vëmendje për produktin mandarinë klementina për shkak të pesticidit.
AKU ka një plan monitorimi për pesticidet gjithëvjetor dhe nuk e kryen me njoftime të veçanta.
Ky është plan monitorimi që kryhet gjatë gjithë vitit. Analizat kryhen në ISUV sipas normave të BE për kryerjen e këtyre analizave.
Sigurisht që ka pasur problematika, por jo problematika të tilla sa të ndizen alarme apo një dritë e kuqe.
Tre sasitë e kapura kanë qenë të prodhuara enkas për eksport nga fermerët.
AKU nëpërmjet gjurmueshmërisë ka nxjerrë listat e fermerëve me adresat përkatëse dhe me Autoritetin e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve duke gjurmuar produktet përkatëse dhe analizimin direkt nga pema.
Në tregun vendas nuk ka prodhim të tillë se kanë qenë lote specifike që janë vjelë dhe dërguar për eksport.
Këto produkte certifikohen nga Autoriteti i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.
Mosfunksionimi është në pjesën e përdorimit të pesticidit dhe lejimin e kohës që ky pesticid duhet të ketë para se fruti të vilet.
Përgjegjësia gjithmonë është e fermerit i cili në një mënyrë apo një tjetër bën përdorimin e këtyre pesticideve, mënyrën e dozimit dhe zbatimin e kohës së karencës në vjeljen e produkteve që zotëron.
Për futjen në treg të pesticideve, AKU e ushtron veprimtarinë e vetë si në terren në të gjitha bashkitë dhe qarët dhe 14 pika kontrolli të inspektimit kufitar në vendet ku këto pesticide hyjnë në Shqipëri.
Në asnjë rast nga kontrollet që kemi bërë nuk kemi gjetur pesticide të ndaluara apo rrezikshme në farmacitë bujqësore të licencuara.
Ministria e Bujqësisë sqaroi se bëhet fjalë për tre ngarkesa me origjinë nga plantacionet e Beratit, Fierit dhe Sarandës.
Në sqarimin e ministrisë thuhet se bëhet fjalë për tre ngarkesa me mandarina të variantit klementinë, te të cilat janë gjetur pesticide të llojit Chlorpyrifos dhe Phosmet.



