
Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë 'arrest me burg' për 15-vjeçarin Ergys Malja.
Në seancën gjyqësore ai nuk ka folur asnjë fjalë ndërkohë që akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Endri Mustafës.
Avokati i të miturit ka kërkuar masë më lehtësuese për shkak të moshës, por kërkesa nuk është pranuar nga trupi gjykues.
Ka qenë pikërisht Ergys Malja, personi i fundit që ka takuar Endri Mustafën ku më pas u gjet i vrarë në zonën e Livadheve në Shkodër.
Më herët në dëshminë e tij i mituri ka treguar si arriti ta fuste në kurth fqinjin e tij dhe kodet e përdorura në rrjetet sociale.
Ndër të tjera Ergys Malja ka thënë se me datë 15 maj, gjatë drekës ka sjellë në banesën e tij një qengj që kishte blerë në Postribë, pasi sipas tij ia kishte kërkuar Endri Mustafa.
Pasi shkuan në livadhe, 15-vjeçari tregon se aty ka dalë shtetasi Ibrahim Lici duke qëlluar direkt në drejtim të Mustafës. Ndërsa ky i fundit i është lutur që të mos ta vriste.
Akuza që rëndon ndaj 15-vjeçarit është ajo e “Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim”.



