Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq, ku gjatë një operacioni policor për kapjen e një personi në kërkim, një punonjës policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pas shkëmbimit të zjarrit.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim dhe bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe Komisariatit të Policisë Korçë kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin në zonën e Lozhanit.
Rreth orës 07:30, forcat e policisë kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej shtetasi në kërkim, Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe më herët i proceduar për “Kultivim të bimëve narkotike”.
Sipas Policisë, të kërkuarit i është bërë thirrje të dorëzohej, por ai nuk i është bindur dhe ka hapur zjarr në drejtim të shërbimeve policore. Si pasojë e sulmit me armë zjarri, ka humbur jetën në krye të detyrës inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë, ndërsa është plagosur inspektor Edison Adri, 36 vjeç, gjithashtu efektiv i kësaj njësie.
Forcat e policisë i janë kundërpërgjigjur sulmit, duke neutralizuar të kërkuarin, i cili është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe më pas është arrestuar.
Në vendngjarje është nisur edhe helikopteri i shërbimeve shëndetësore për transportin e të plagosurve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së rëndë, ku një punonjës policie humbi jetën në krye të detyrës dhe një tjetër mbeti i plagosur.



