Kreu i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule është goditur me dy vezë në hyrje të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, teksa hynte për të ndjekur seancën ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Gazetari Arsen Rusta raportoi për MCN Live, se ndërsa ka mbërritur ambasadorja e Greqisë për të ndjekur procesin e Fredi Belerit i cili kërkon përjashtimin e trupës gjykuese, pak para nisjes së seancës dy qytetarë që kanë qenë të pranishëm këtu kanë goditur me dy vezë deputetin Vangjel Dule.
Deputeti Dule është futur në ambientet e gjykatës për t’u pastruar pa e zgjatur debatin e tij.
Policia ka nisur kontrollin për identifikimin dhe shoqërimin e të dyshuarve.
Beleri ndodhet i pranishëm në Apel ku kërkon heqjen e masës së sigurisë.
Ditën e sotme mbahen dy seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, të cilat një ditë më parë nuk mundën të shqyrtoheshin.
Njëra seancë lidhet me masën e sigurisë, ku Beleri kërkon rikthimin në liri dhe njëra për përjashtimin e trupës gjykuese të cilën e kundërshton dhe e quan të njëanshme.



