
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë dekretin e Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor 2025.
Ky vendim erdhi pas ankesës së kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkoi shpalljen e dekretit si të paligjshëm dhe ndalimin e procesit elektoral.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ish-prokurori Eugen Beci tha se, në këndvështrimin juridik, zgjedhjet në Tiranë më 9 nëntor nuk mund të mbahen.
Gjykata Kushtetuese, duke parë që organet ligjzbatuese nuk kanë zbatuar siç duhet nenin 115 të Kushtetutës dhe pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Veliaj, ka vendosur të pezullojë pjesërisht dekretin për zgjedhjet në Tiranë.
Kjo është një çështje që po kalon nga një debat juridik në një debat politik, por nga ana ligjore situata është e qartë:
Nga pikëpamja juridike, them me bindje të plotë se zgjedhjet në Tiranë më 9 nëntor nuk mund të zhvillohen, as teorikisht, as praktikisht.
Edhe nëse Gjykata Kushtetuese e shqyrton çështjen me urgjencë në seancën e 31 tetorit, ligji parashikon një afat deri në 30 ditë për të marrë një vendim përfundimtar.
Nëse më 31 tetor paraqiten të gjitha palët, të interesuarit do kenë të drejtë të dorëzojnë parashtresat e tyre. Gjykata ka të drejtë të marrë vendimin brenda një afati maksimal prej 30 ditësh.
Deri atëherë, procesi për zgjedhjet në Tiranë mbetet i pezulluar dhe e ardhmja e votimeve varet nga përfundimi i shqyrtimit kushtetues.



