
Vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier dhe abuzimet e shumta me fëmijët që kanë ndodhur kohët e fundit në Shqipëri kanë revoltuar opinion e gjerë publik. Lidhur me këto ngjarje, ditën e sotme në Sheshin Skënderbej është zhvilluar një marshim paqësor kundër dhunës ndaj fëmijëve.
Marshimit i është bashkuar edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila ka bërë thirrje që këtij marshimi duhet t'i bashkohen të gjithë. Ndërsa foli për mediat, Nikolla theksoi se vrasja e 8-vjeçarit në Fier është një ngjarje e rëndë e cila ka tronditur mbarë shoqërinë.
Gjithashtu ajo u shpreh se rikthimi i dënimit me vdekje nuk është vendim i duhur dhe se nuk duhet marrë në bazë të emocioneve të forta.
Përfshirja ime është përfshirja e një nëne, e një qytetare e krye parlamentares për të adresuar këtë problem shumë të rëndë. Secili prej nesh e përjeton dhimbjen humbjen e një fëmijë, sikur të ishte humbja e fëmijës tim. Vetëm kështu mund të bëhemi bashkë për të parandaluar fenomene të tilla.
Si institucion jemi në një moment të rëndësishëm. Parlamenti do të punojë, por do ta përdorë këtë moment edhe për të pasur një proces shterues nga pikëpamja ligjore. Ligjet duhen zbatuar, por duhet një ndërgjegjësim qytetar i komuniteteve, që të denoncojnë dhunën. Këto janë momente të forta emocionale, patjetër Shqipëria është pjesë e BE, dhe sinqerisht unë nuk mendoj që dënimi me vdekje dhe kthimi pas në këtë vendim do të jetë gjëja e duhur. Ka shumë momente të tjera, por janë vendimmarrje që nuk duhen marrë në emocione të forta.



