
Opozita proteston edhe sot para Parlamentit, ndërkohë që në sallë vijon seanca parlamentare. Që në nisje të protestës pati një përplasje mes banorëve të Astirit dhe punonjësve të policisë në afërsi të Ministrisë së Brendshme.
Përplasje të tjera ka pasur edhe në afërsi të Parlamentit, ku mbështetës të opozitës dhe ish-deputetë tentuan të çanin kordonin e policisë.
Situata është tensionuar, ndërsa protestuesit hidhnin kapsolla. Mes protestuesve janë një grup ish-deputetësh të opozitës si dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Kreu i demokratëve, deklaroi se protestat do të vijojnë.
“Nuk ka gardh, nuk ka tel me gjemba që e përmban dëshirën për ndryshim. Ju them fermerëve shqiptarë se kohët tuaja të dëshpërimit do të marrin fund. Paratë që ua vjedhin Edi Rama dhe oligarkët do iu kthehen ju, skema korruptive e TVSH do anulohet, përgjegjësi do shkojë në burg dhe pasuritë e tyre do konfiskohen. Beteja jonë do të vazhdojë, liri demokraci a vdekje. Nuk ka asnjë shans që populli të lodhet, të përçahet dhe të kthehet në racën e deleve që ke mbyllur në atë kotec. Ne jemi të frymëzuar nga fryma e shenjtë e demokracisë, fryma e shenjtë e Zotit. Ora e hakmarrjes popullore po afron!”, deklaroi Basha.



