
Dhoma Kombëtare e Avokatisë vijon të kundërshtojë me bojkot hartën e re gjyqësore. Në studion e lajmeve të MCN TV, avokati Erles Qypi tha se protesta e të enjtes është paralajmërimi i fundit për KLGJ-në dhe Ministrinë e Drejtësisë, të cilat kanë përpiluar hartën e re. Qypi tha se është e pamundur të shqyrtohen të gjitha dosjet nga një gjykatë e vetme apeli në të gjithë vendin.
Protesta jep një paralajmërim të fundit KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë lidhur me hartën e re gjyqësore që penalizon shqiptarët. Ne do të bëjmë kërkesat tona mbi rrugët si mund të reflektohet mbi këtë hartë. Republika e Shqipërisë nuk mund të ketë vetëm një gjykatë apeli. Këtu mbrohet interesi publik, nuk mbrohet interesi i avokatëve. Avokatët duhet ta respektojnë vendimin për bojkot. Do të jemi në koordinim me Dhomën e Avokatisë së Tiranës, me të cilën bashkërendojmë veprimet.
Sipas tij, janë të domosdoshme të paktën tre gjykata apeli të shpërndara sipas rajoneve gjeografike.
Harta e re rëndon stokun e dosjeve në Gjykatën e Apelit. Thjesht lëvizja fizike e dosjeve është tepër e vështirë. Duhet të ishin të paktën tre gjykata apeli. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Drejtësia e re duhet të jetë mbi të gjitha efektive.
Qypi tha se më shumë sesa interesat e avokatëve, rishpërndarja e shërbimit gjyqësor rëndon mbi qytetarët.
Avokatët e Tiranës favorizohen nga kjo situatë. Por ne flasim në interesin kombëtar për drejtësi. Avokatët e rretheve preken. Por preket edhe interesi i qytetarëve që jetojnë në ato zona. Do të kenë kosto shtesë. Kjo hartë gjyqësore prek interesat e qytetarëve. Një drejtësi efektive është një interes i madh kombëtar.



