Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiq komenton raportin e Bankës Botërore sipas të cilës një shqiptar jeton me 5 deri në 5.5 dollarë për frymë, duke u renditur më e varfra në rajon.
Radonshiq tha për MCN Economy, se në Tiranë është e pamundur të jetosh me këtë vlerë dhe se në një qytet tjetër mund të mbijetosh por është tejet e vështirë me këtë rritje çmimesh.
Shteti ndihmoi me 30 mijë lekë të vjetra familjet në nevojë, por kemi shumë individë në kufijtë e varfërisë, kjo e dhënë nuk është akoma. Duhet reagim nga ana e shtetit në mënyrë që të mos rëndohet situata.
Kemi plane strategjike ku qeveria ka bërë plane se si do zhvillohen sektorë të ndryshëm por nuk janë azhornuar me inflacionin, nivelin e lartë të varfërisë, papunësisë.
Harrojmë të themi se kemi një nivel të lartë të rinjsh që largohen për shkak të papunësisë që ofron Shqipëria.
Ekspertja kërkoi që të përkrahet biznesi duke dhënë fushë veprimi dhe duke krijuar lehtësi me anë të politikave fiskale.
Sipas saj, ka shumë të rinj që me kredi me interesa të vogla mund të jetë bëhen sipërmarrës në të ardhmen jo i papunë, por se aktualisht përballen me pamundësi për të marrë kredi për shkak të kushteve dhe interesave të larta.
Sa i takon nivelit të pagave, kemi kosto shumë të lartë jetese. Në Tiranë një personi i duhen minimalisht 56 mijë lekë kosto jetese, pa llogaritur qiranë dhe shpenzimet e tjera. 48% e të punësuarve paguhen me pagë minimale apo më pak se paga minimale.
Kemi problem se deklarojnë sikur marrin 32 mijë lekë të reja, por mund të marrin 25 mijë lekë dhe ky është sektori i fasonerisë. Dhe i kthejnë një pjesë mbrapsht.
Radonshiq thotë se shtresës së mesme i ka mbetur vetëm të mirëmenaxhojë situatën financiare dhe të ndalet tek blerjet e domosdoshme, duke nënvizuar se shtresa e mesme po kërcënohet për të kaluar në varfëri relative.
Qeveria ka harruar që gjithë kjo rritje ekonomike mund të na çojë në një rritje të varfërisë shumë më të madhe. Përballë shpenzimeve tejet të larta, kemi një pagë mesatare tejet të ulët dhe qeveria duhet të ndërhyjë.
Kemi probleme me edukimin financiar, priremi për të bërë jetesë së shtrenjtë. Ka të rinj që marrin kredi për të bërë pushime, është kultura e vendit tonë, kemi probleme të politikave ekonomike, në nivel makro dhe mikro. Nëse do të vazhdojmë me këto ritme do të jemi një nga vendet më të varfra të rajonit.
Ajo shtoi gjithashtu se taksa progresive kush ka më shumë paguan më shumë rrit evazionin fiskal dhe goditi shtresën me nivel të mesëm jetese.
Sipas saj, ekonomia informale ka dhe ndikimin pozitiv, pasi ka krijuar disa mundësi, ku në rastin e punësimit, atyre individëve që iu është afruar punë në tregun infomral mund të punojnë dhe rrisin ekonominë në familje.



