Dhjetë për qind e fëmijëve në arsimin 9-vjeçar kanë probleme me shikimin. Mjeku okulist, Rubin Topi, tha se ndër këto probleme, ai që paraqet më shumë rrezikshmëri në terma afatgjatë është sy ri dembel.

Nga vizitat e shpeshta që kam kryer, mua më rezulton se janë më shumë se 10%. Nuk është për t’u habitur sepse janë faktorët të tillë. Një ndër problemet kryesore me pasoja afatgjata nëse nuk kapet në kohë është syri dembel. E nisa nga kjo për shkak të rëndësisë. Nëse nuk korrigjohet në kohë, ky fëmijë invalidizohet i rritur dhe sheh vetëm nga njëri sy. Pra, syrit tjetër i ulet fuqia.
Në vendet e zhvilluara gjithmonë e më tepër, këshillohet që qysh në lindje të bëhet një vizitë për të parë nëse ka ndonjë patologji. Kur mbush një vjeç dhe më pas kur bëhet 3 apo 4 vjeç. Në varësi si është rezultati i vizitave, ashtu merren edhe masat. Nëse shohim që fëmija ka probleme dhe e korrigjojmë me syze, këshillohet vizitë njëherë në 6 muaj.



