
Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, me një vit burg.
Vendimi i sotëm është i formës së prerë dhe tashmë pritet ekzekutimi i urdhrit të arrestit, duke bërë që Memolla të shkojë në burg.
Në shkallën e parë Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, me 1 vit burg për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Në nëntor të vitit 2023, SPAK dërgoi për gjykim kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla dhe tre persona të tjerë të akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas SPAK, Memolla ka ndikuar tek elektriçisti Blerim Xhamani, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022.
Po ashtu, Memolla ka komunikuar me Xhamanin për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.



