
Reshjet e dendura pritet të vijojnë edhe përgjatë 24 orëve në vijim. Sipas parashikimit të Qendrës Kombëtare për parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, dy qarqet më të prekura do të jenë Shkodra dhe Kukësi. Intensiteti i reshjeve në qarqet Shkodër dhe Kukës do të vijë duke u rritur gjatë pjesës së dytë të ditës së nesërme. Reshjet do të të shoqërohen me shtrëngata vetëm në këto dy qarqe. Ndërkohë, në pjesën tjetër të vendit, reshjet do të vijojnë në nivel mesatar dhe të dobët.
Për shkak të sasisë së madhe të reshjeve, lumenjtë në dy qarqet e Veriut do të shtojnë nivelin e prurjeve, duke paraqitur rrezik për pëmbytje. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Sot (e hënë, dt.04) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të rriten prurjet në pjesët e larta malore duke përfshirë edhe kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Në pjesën fushore të basenit që i përket lumenjve Drin-Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të ketë nivele të larta të ujit dhe me tendencë për rritje të niveleve të rrezikut ditët e javës në vazhdim. Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të rriten në fundjavë për shkak të rritjes së shkarkimit të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës në Lumin Buna por do të varen edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Për arsye të rrezikut nga përmbytja është vendosur shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Në pjesën tjetër të territorit do të ketë shtim të prurjeve në të gjithë lumenjtë kryesorë, por nuk ka paralajmerim për përmbytje lumore.



