Këshilli i Lartë i Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke shkarkuar nga detyra Dritan Secin.
Ish-Kreu i Gjykatës së Tropojës, akuzohet për deklarim të rremë, mosjustifikim të pasurisë dhe shkelje në disa vendime gjyqësore.
Hetimi i thelluar i KPK-së ishte përqendruar në apartamentin 76 metra katrorë në Tropojë, të blerë në vitin 2012 për 2.2 milionë lekë. Fillimisht, kjo pasuri sipas Komisionit është deklaruar 2 milionë e 100 mijë lekë, ndërsa në veting është deklaruar 2 milionë e 200 mijë lekë.
“Probleme janë konstatuar edhe në lidhje me makinën e blerë në vitin 2004, të cilën gjyqtari e ka deklaruar të blerë për 250 mijë lekë. Por nga hetimi rezulton se ky mjet, në bazë të kontratës së shitblerjes është shitur për 200 mijë lekë. Pra, sipas Komisionit, rezulton se ka mospërputhje mes çmimit të deklaruar në deklaratën veting dhe kontratës.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ardian Hajdari relator, Ina Rama, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.33/2019, datë 15.07.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Dritan Seci, kundër vendimit nr. 114, datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 114, datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Dritan Seci.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 24.11.2020



