Komisioni Europian ka publikuar ditën e sotme progres-raportin për anëtarësimin e vendeve kandidate në Bashkimin Europian, mes tyre dhe Shqipëria.
Në raport thuhet se ndërsa Shqipëria pret të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitin 2030, nuk mund të ketë avancim drejt BE, pa luftë kundër krimit të organizuar dhe zbatimin e ligjit.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka forcuar rezultatet e saj pozitive dhe ka krijuar një rekord solid në ndjekjen e korrupsionit në nivele të larta, përfshirë rastet me zyrtarë dhe politikanë të rëndësishëm.
Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm. Kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit ka ndikim të kufizuar. Rekomandohet që kontrolli i deklarimeve të pasurisë të bëhet më efektiv dhe transparent, dhe deklaratat e personave politikisht të ekspozuar (PEP) të publikohen online.
Sugjerohet që në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të fillojë zbatimin e strategjisë së re të administratës publike dhe të rishikojë efektivitetin e strukturave të monitorimit aktual.
Sa i takon reformës zgjedhore, sugjerohet të përfundohet reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Ndër të tjera nënvizohet nevoja e forcimit të mbikëqyrjes parlamentare ndaj ekzekutivit dhe të shmanget politizimi i emërimeve në institucionet e pavarura.



