Eksperti i ekonomisë Zef Preçi duke folur në MCN Live e konsideroi Aeroportin e Vlorës një aferë korruptive që duhet të hetohet nga SPAK. Sipas tij me largimin e aksionerit kryesor nga ky projekt kemi cenim të interesit publik. Preçi thekson se qeveria shqiptare ka hedhur “mollën e sherrit” në këtë histori, ndërkohë që me largimin e aksionerit turk, duhet të hapte garën nga e para dhe të kërkonte zgjidhje juridike.
“Është një histori e rëndomtë shqiptare, krejt e ngjashme me historinë e inceneratorëve dhe tunelit të Llogarisë. Mënyra si penetron kapitali i huaj në Shqipëri, bizneset mikro vijnë nga përvoja individuale. Në nivel kombëtar, qendror, janë lobingjet politike. Një gjë është e vërtetë, kompanitë e mirënjohura në botë, që janë brand, kanë filluar ta lënë këtë vend. Asnjë kompani gjermane dhe austriake s’fiton dot një tender në Shqipëri, do të thotë që sistemi ynë është i deformuar, punon për 20 klientë të qeverisë. U tentua me një ligj të posaçëm, ky është klientelizëm, vendimmarrje aribitrare. Historia fillon me një tentativë për t’ia dhënë dikujt, bëhet një garë formale. Gara ishte e trukuar.
Shitja shumë e lirë e aksioneve nga aksioneri turk është dëshmi që ai mori pjesë thjesht për t’i dhënë emër. Mësuam që kishte që në 2022-shin që ministri përgjegjës kishte autorizuar kalimin e aksioneve nga partneri kryesor te partneri i dytë nga Kosova. Për mendimin tim këtu fillon shkelja. Largimi i aksionerit kryesor është cenim i interesit publik. Ose duhej përsëritur nga e para, ose qeveria duhet të gjente një aksioner tjetër. Tani ka hyrë në një rreth, ku lufta për të vënë nën kontroll aksionet e lëna nga partneri turk, ka përplasur aksionerët e mbetur, dhe është fakt që qeveria bën sehir, ndërkohë që ajo mollën e sherrit, dhe duhet ta hapte garën nga e para dhe të kërkonte zgjidhje juridike. Është një histori korruptive që duhet hetuar nga SPAK-u”.
Duke folur mbi dosjen “Bankers” dhe rolin e Bankës së Shqipërisë te skema e mikrokredive, Preçi tha:
“Nuk jam optimist që mund të ketë shumë rikuperim. Uroj të mos përfundoj në arbitrazh, dhe uroj të mos jetë luftë mes segmenteve të qeverisë, oligarkisë dhe lobeve të krimit të organizuar. Paligjshmëritë e ARMO-s janë certifikuar nga pala shqiptare. Uroj që hetimi duke kaluar në duart e SPAK-ut të paktën të hedhë dritë mbi atë që ka ndodhur. Ka zëra që në hetimet e Prokurorisë së Fierit janë hedhur emrat e zyrtarëve përfitues. Ka një numër zyrtarësh, ish-zyrtarësh, politikanësh, që kanë përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kushtet e konfliktit të interesit. E shoh përfshirjen e bankave si diçka normale për sa kohë që BSH nuk përmbush detyrat e veta për mbikëqyrje.
S’ka asgjë për t’u çuditur që banka bëhet subjekt hetimi. Ne gjykojmë BSH nisur nga deklaratat e guvernatorit. Guvernatori sipas ligjit është ndër institucionet e vetme që ka nisma ligjvënëse që mund t’ia propozojë Parlamentit. BSH detyrohet një shpjegim kush po i bën presion. Uroj që presioni mos jetë hetimi i SPAK-ut për mikrokreditë. Hetimet janë detyrim, përmbushje e ligjit, dhe asnjë zyrtar s’është i mbrojtur. Ajo që ka ndodhur me BSH sa i takon mikrokredive akoma s’është zbardhur, për mbi 100 familje. Zvarritja e këtij procesi, ka vetëm një gjë pozitive që është marrë në dorë nga SPAK-u. Ngarkohet me përgjegjësi Këshilli Mbikëqyrës, BSH, dhe Inspektorin e përgjithshëm”.
Sa i takon punës së SPAK-ut, Preçi thekson se duhet të bëhen më shumë konfiskime të aseteve.



