
Edhe një herë tjetër, ambasadorja amerikane Yuri Kim u bëri thirrje sot liderëve të partive politike që kandidatët për zgjedhjet e 25 prillit të jenë figura të pastra.
Gjatë një konference të organizuar nga “KRIIK Albania”, me temë “Kostot e demokracisë II; Paratë në politikë dhe Integriteti Zgjedhor”, Kim deklaroi se vetëm në këtë mënyrë qytetarët do të rifitojnë besimin tek institucionet dhe do të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme.
“Teksa Shqipëria synon të bashkohet me BE, duhet që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, me kandidatë të pastër, që përfaqësojnë qytetarët. Qytetarët e Shqipërisë meritojnë të kenë besim tek institucionet. Meritojnë të shohin lidershipin e partive në Parlament teksa iu shërbejnë interesave të tyre. Të gjithë kanë një rol për të luajtur në forcimin e demokracisë. Ne po punojmë me partitë politike, duke i inkurajuar dhe madje edhe i lutur që të ndërtojnë besim tek qytetarët që të vendosin kandidatë që nuk promovojnë korrupsion dhe cenojnë demokracinë. Partitë politike duhet të marrin seriozisht obligimin që të bëjnë transparente financimet. Votuesit shqiptarët kanë gjithashtu përgjegjësi që të mos pranojnë para për votën e tyre. Shqipëria mund të ndërtojë një sistem elektoral më të mirë. Inkurojmë të gjithë partitë politike dhe aktorët për një sistem transparent”, u shpreh Yuri Kim.
Ndër të tjera ajo bëri thirrje që shqiptarët të mos votojnë kriminelët.
‘SHBA ka punuar dhe do të punojë për të përmirësuar demokracinë në Shqipëri. Përfaqësuesit në parlament duhet të përfaqësojnë të gjithë shqiptarët. Liderët e partive të largojnë politikanët e korruptuar nga lista. Partitë të bëjnë transparente financimet.Të kontrollohen mirë kandidatët, populli shqiptar nuk duhet që të votojë për kriminelë. Shqipëria mund të ndërtojë një sistem më të mirë elektoral. Ne inkurajojmë të gjithë partitë, që të kenë transparencë për gjithçka për zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.
Kim apeloi qytetarët që mos pranojnë para në këmbim të votës së tyre.
“Votuesi shqiptar ë duhet të mbajë përgjegjësi duke mos marrë para për votën dhe duke mos votuar kriminelë. Qytetarët janë ata që kanë pushtetin për të vendosur njerëzit në kuvend. Edhe shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm. Ata kontribuojnë edhe përmes studimeve dhe rekomandimeve. Këto zgjedhje duhet ta bëjnë Shqipërinë krenare dhe të ndërtojnë një sistem më të mirë zgjedhor duke respektuar rekomandimet. Këshilli Politik mori hapa të rëndësishme për ligjin zgjedhor gjatë verës dhe ky ishte një hap shumë i rëndësishëm për integrimin evropian dhe tani po ndjekim zbatimin, për të siguruar që zgjedhjet për parlamentin e ri të jetë të lira e të ndershme.”



