Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Fierit, të kapur me armë në makinë dhe me doza kanabisi gati për shitje.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të inteligjencës policore, të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se dy shtetas lëviznin të armatosur dhe me doza kanabisi me vete, të gatshme për shitje, Komisariati i Policisë Fier, në aksin rrugor “Pojan-Dërmenas”, ndaloi për kontroll, automjetin që drejtonte shtetasi P. F., alias P. Xh. dhe ku ishte pasagjer E. H..
Gjatë kontrollit në këtë automjet u gjetën një armë zjarri pistoletë, 170 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dhjetëra doza kanabis gati për shitje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier vuri në pranga shtetasit P. F. alias P. Xh., 49 vjeç dhe E. H., 20 vjeç, të dy banues në fshatin Dërmenas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim.



