Një 20-vjeçare shqiptare në Itali është surprizuar kur ka marrë një mesazh nga policia e Xhenovas, pak orë pasi kishte humbur portofolin. Mediat italiane shkruajnë se një 70-vjeçar e kishte gjetur portofolin e shqiptares dhe kishte shkuar menjëherë në komisariat për ta dorëzuar.
Në portofol ndodheshin 500 euro, disa karta krediti dhe dokumente identifikimi. Përmes këtyre të fundit, karabinierët e kanë gjetur 20-vjeçaren në “Facebook” dhe i kanë shkruar një mesazh ku thuhej se duhej t’i telefononte komisariatit në lagjen San Fruttuoso.
Pasi i kanë thënë se portofoli i saj është gjetur, ajo ka mbërritur në komisariat, ku ka tërhequr portofolin e humbur.
“Nuk di si ta falënderoj atë njeri, sapo kam mbërritur në Itali për të takuar tim vëlla dhe e gjeta veten pa dokumente dhe pa para”, ka thënë ajo e përlotur.



