"Koha për sanksione dhe presion kundër Iranit do të përfundojë. Qëllimi i armiqve për të na bërë të dorëzohemi dhe të ulemi në tryezën e bisedimeve për të pranuar gjithçka që ata thonë nuk do të bëhet e vërtetë", ka thënë presidenti iranian Hassan Rohani, duke folur në një demonstrim të industrisë kombëtare petrokimike.
"Armiqtë bëjnë presion ndaj Iranit për t'i shtyrë njerëzit të protestojnë në rrugë, por iranianët janë kundër pranisë së të huajve dhe amerikanëve dhe nuk do të shtrojnë një qilim të kuq për ta. ...Që nga viti i kaluar, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore dhe kthimi i sanksioneve, vendi ka hyrë në një situatë lufte të vështirë ekonomike", tha ai, duke shtuar ndër të tjera se armiqtë e tyre tashmë kanë dështuar.



