Dy nxënës të shkollës së mesme “Janaq Kilica” në Fier janë proceduar penalisht, një ditë pas helmimit të 60 nxënësve të asaj shkolle.
Ata dyshohen se kanë përdorur sprajt me lëndë gazi në ambientet e brendshme të shkollës.
Policia mendon se për pasojë të përdorimit të sprajtit, disa nxënës janë shfaqur me shqetësime me frymëmarrjen.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përmes një deklarate për mediat tha se 60 nxënës janë paraqitur në Spitalin Rajonal të Fierit për të marrë ndihmën e parë.
Mësohet se pas hetimeve në lidhje me ngjarjen, rezultoi se sprajti ishte përdorur nga dy nxënës të kësaj shkolle, konkretisht A.M., 15-vjeç dhe A.H., 15 vjeç, të cilët u proceduan penalisht.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale "Ndotja e ajrit" dhe "Prishja e qetësisë publike".
09:05H/Nxënësit e shkollës “Janaq Kilica” e fillojnë mësimin të shoqëruar nga prindërit dhe policia
Mësimi në shkollën e mesme “Janaq Kilica” ka filluar normalisht të enjten, një ditë pasi 60-të nxënës u shfaqën me shenja intoksikimi në mjediset e spitalit Rajonal të Fierit.
Raportohet se nxënësit janë shoqëruar nga prindërit e tyre, ndërsa është vënë re prania e forcave të rendit në mjediset e shkollës.
Pamjet që mbërritën nga Fieri treguan kaosin dhe situatën e panikut të krijuar në shkollën e mesme, pasi për herë të dytë brenda 10 ditësh brenda ambienteve të saj u përhap lënda helmuese.
Lajmi krijoi panik edhe në ambientet e spitalit ku menjëherë u mblodhën qindra nxënës e prindër.
Policia raportoi se dyshohet se është përdorur sprajt piperi nga një nxënës i kësaj shkolle'', ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë deklaron se ka nisur grupet e inspektimit në terren për verifikim dhe do kryhen analizat për ndotjen e ajrit në bazë të mostrave.
"Kanë qenë gjatë orës së pushimit kur është hedhur dhe lënda që sipas policisë është sprajt piperi" , u raportua nga mediat.
Spitali rajonal deklaroi se janë 58 nxënës dhe dy mësues qe ishin paraqitur ne spital me shenja intoksikacioni për të marrë trajtim në këtë spital dhe gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.
Mjeku toksikolog i spitalit u shpreh se pacientët patën acarim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes e lotimit të syve.



