
Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo thotë se të kesh shansin të kontribuosh në qytetin ku je lindur dhe të shohësh se si mund të përmirësohet jetesa e qytetit dhe shërbimet, është një gjë që me shumë pak profesione mund të zëvendësohet.
Në një intervistë për MCN Economy, Demo deklaroi se puna e kryebashkiakut ka shumë sfida, por tha se ka fatin të jetë në krye të një qyteti të jashtëzakonshëm si Berati, që ka histori dhe traditë dhe kjo e bën një nga qytetet më të vizituara në Shqipëri.
Kemi projekte madhore për qytetin, janë duke përfunduar dhe shumë po fillojnë. Me gjithë këtë energji pozitive që kemi në qytet, duhet të garantojmë një lloj vijimësie.
Lidhur me ambicien që ka për Beratin, deklaroi se pas reformës territoriale ku numri i bashkive u zvogëlua, Berati pësoi rritje me njësitë që iu bashkuan, ku tha se janë 4 njësi administrative dhe 3 rajone, ku në total janë 7 njësi.
Territori që bashkitë kanë është shumë më ndryshe. Bujqësia është një nga sektorët kryesorë, por një pjesë e konsiderueshme e territorit është e fokusuar në produktet bujqësore.
Bujqësia mund të ndërveprojë shumë mirë me sektorin e turizmit. Berati ka fatin që tashmë e shohim se modelet e agroturizmit, apo produktet lokale e bjënë turizmin më interesant dhe garanton të ardhura më të shumta për fshatrat.
Berati nuk është më qendra e qytetit dhe 3 lagjet muzeale, por është më shumë se aq. Natyra e mrekullueshme që kemi dhe është shumë ndryshe, çdo njësi ka specifikat e veta. Modelet që po zhvillohen në territor, e bëjnë Beratin një paketë që ka për të ofruar shumë dhe ofron mundësinë e zgjatjes së turizmit të turistëve që qëndrojnë në Berat.
Kemi kanionet e Osumit, në Skrapar, por edhe në bashkitë e tjera që rrethojnë qytetin. Berati është shumë i njohur për shtëpitë e verës, nga ata që i kanë krijuar me shumë mund dhe sakrifica.
Është trend i njohur në gjithë Shqipërinë por jo vetëm. Ne do të shpalosim shumë shpejt 100 kilometër shtigje biçikletash sportive, në rrethinat e Beratit.
Turistët vendas janë pjesë shumë e rëndësishme e portofolit të turizmit, por edhe për turistët e huaj duhet ta bëjmë më tërheqës për eksplorimin.
Ajo çfarë ka ndryshuar me Beratin, është evidentimi i aseteve dhe nxjerrja në pah e tyre nëpërmjet kanaleve të ndryshme.
Sipas tij, strukturat turistike bëjnë më shumë punë nga sa bënin vite më parë, kjo edhe përmes rrjeteve sociale, duke thënë se Berati ka bërë revolucion të heshtur të jashtëzakonshëm dhe se vitet e fundit ka pasur bum investimesh private duke rritur kapacitete akomoduese në hotele por edhe në shërbime.
Ai përmendi një strukturë akomoduese me 100 dhoma, duke thënë se oferta vjen në rritje në bazë të tipologjisë së turistëve.
Demo nënvizoi se domosdoshmëri për Beratin dhe që duhet ofruar në tre lagjet muzeale, është që të jenë të prekshme për turistët, nëpërmjet njësive akomoduese pasi vizitohet nga grupe shumë të mëdha.
Ai përmendi edhe zhvillimin e konferencave të ndryshme në strukturat hoteliere, si dhe përmendi edhe zhvillimin e Guest House.
Kryebashkiaku informoi se Berati ka një kapacitet prej 3000 shtretërish akomodues, teksa tha se po punohet për hapjen e hoteleve të reja dhe se disa shtëpi po rregullohen pikërisht për t’u kthyer në hotele.
Berati si pjesë e UNESCO-s, trashëgiminë kulturore ka pjesën e vetë të rëndësishme, por jo vetëm. Tashmë turistët janë shumë më të lidhur me natyrën dhe turisti që vjen në Berat vjen për të vizituar lagjet muzeale, muzetë në qytet.
Qyteti ka nevojë për të parë jo vetëm pjesën historike, por edhe lagjet karakteristike të periudhës socialiste. Vetëm një shtëpi vere në Berat ka pritur rreth 15 mijë turistë në vit, të cilët shkojnë dhe testojnë verën.
Më 31 shator, 1 dhe 2 tetor do të mbahet Festivali i Verës, një traditë e re në Berat. Ne duam të kemi të gjitha shtëpitë e verës. Do jetë një aktivitet kombëtar.
Për kryebashkiakun Demo, Berati është i aksesuesshëm për të gjithë tipologjinë e turistëve, por shtoi se në vijim mund të ketë rritje të çmimeve për shkak të shërbimeve të shtuara.
Ai e cilësoi si mangësi, por tha se duke filluar nga viti tjetër Berati do të ketë edhe dinamizmin e jetës së natës.
Sa i takon investimeve, Demo përmendi gazsjellësin TAP dhe rëndësinë e tij në zonë, dhe tashmë edhe SHELL. Sipas tij, një nga sfidat që ka qyteti është gjetja e burimeve njerëzore që t’i përgjigjet investimeve, duke thënë se shumë struktura kanë probleme për gjetjen e punonjësve.
Kryebashkiaku tha se Berati është pjesë e një projekti të Bankës Botërore dhe BERZH për përmirësimin e infrastrukturës, duke përmendur edhe disa nga investimet që po kryhen.
Demo informoi se po bëhet një parkim në qendër të qytetit dhe se tarifat do të jenë të ngjashme me ato të zonave të tjera, por pa përmendur një shifër specifike.



