Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Bisedën e ka njoftuar vetë Vuçiç në një postim në Instagram, ndërsa ka theksuar se në fokus ka qenë samiti i rëndësishëm i Ohrit më 9 nëntor.
“Bisedë e shkëlqyeshme me @ediramaal dhe @zoranzaev përpara samitit të rëndësishëm në Ohër më 9 nëntor.”, shkruan Vuçiç ndërsa ka ndarë dhe një foto nga biseda, raporton Telegrafi serb.

Në samitin e Ohrit do të diskutohet në lidhje me mini-Shengenin ballkanik. Ai do të pasojë samitin e Novi Sad dhe pritet që tre liderët të arrijnë një sërë marrëveshjesh me njëri-tjetrin sa i takon aspektit të lehtësirave ekonomike dhe lëvizjes së lirë.
Një muaj më parë në Novi Sad, u ra dakord që bisedimet për heqjen e pengesave për rrjedhën e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve duhet të vazhdojnë në Ohër, ku pritet të paraqiten masa konkrete.



