Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 97 vota por, 15 abstenim dhe 5 kundër, Kodin e ri Zgjedhor, i cili përfshin një sërë ndryshimesh, si heqja e koalicioneve, uljen e pragut zgjedhor në 1% dhe hapjen e listave.
Kujtojmë se për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor në parlament, nevojiteshin 84 vota.
Ndërkohë fill pas kësaj, pritet të zhvillohet edhe me votimin për anëtarët dhe kryetarin e Komisionit të Ri të Zgjedhjeve.

Ndërsa deputetja Rudina Hajdari vijon të mbajë të bllokuar foltoren e Kuvendit, kryeministri Edi Rama shprehet se shpeshherë pakica kërkon t’i imponohet shumicës.
Kreu i qeverise tha se disa deputetë japin një shembull të keq, duke shtuar se të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm për detyrimin e arritjes së një kompromisi.
Ai nuk la pa komentuar edhe paralajmërimin e presidentit Ilir Meta ndaj deputetëve që do votojnë pro ligjit zgjedhor sot në Kuvend, deklaratë e bërë gjatë një takimi me kreun e Presidencës në Bosnje Hercegovinë.
Për Ramën, Presidenti nuk ka as kapacitetin më të vogël moral për t’u përmbajtur.
“Unë nuk kam asnjë dyshim që nëse ne do kishim kërkuar një kompromis nga ju për të vendosur bonusin për partinë e parë, por patjetër që kjo do të ishte e tepërt me palën që nuk është këtu. Nga ana tjetër, për ata që nuk janë këtu, ky Parlament po bën më shumë sesa asnjëherë më parë për ndonjë palë që ka qenë këtu brenda duke marrë në konsideratë kërkesat e tyre edhe pse janë larguar. Nuk ka asnjë problem që të më sulmoni mua, jam mësuar. Jam mësuar me origjinalin e jo më me kopjet. Dëgjova një zonjë që foli me një gjuhë që një grua apo nënë nuk mund ta ketë. Çfarë faji t’i vë zonjës ku shembullin më skandaloz e jep Presidenti i Shqipërisë, i cili nuk ka kapacitetin mendor dhe moral ku ka një homolog në krah. Nuk më kujtohet ta ketë bërë as vetë Saliu që në krah të një të huaji të ketë përdorur një fjalor shantazhues për kundërshtarët këtu”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama hodhi akuza të forta për opozitën parlamentare, ndërsa tha se PS është treguar aq qytetare dhe bashkëpunuese në këtë proces sa i çoi në tavolinë emrin e Ilir Rusmajlit PD-së që të bënte kryetar KQZ-je dhe nuk pranoi. Rama tha se me këtë frymë bashkëpunimi do të votoj personazhe të SHQUP-it edhe pse nuk i ka në preferencë e tij.
"Sa për diktaturën po them që jo diktatorë por edhe sikur të isha fare pak si Saliu, ata që janë jashtë nuk do kishin shans të uleshin në tavolinë dhe të dëgjoheshin, të këshilloheshin dhe të vinin këtu për të votuar. Ne kemi çuar Ilir Rusmajlin që ta bënim kryetar të KQZ por nuk e pranuan. E imagjinoni dot që Saliu të propozonte Erion Braçen si kryetar KQZ? Këtë do bëjmë ne sot. Unë do mbyll hundën dhe do votoj ca personazhe që vijnë nga frigoriferi i SHQUP. Për një arsye të thjeshtë se nuk jam as diktator dhe as autokrat dhe se PS e ka në AND qytetarinë", tha Rama
Kryeministri Edi Rama ka qenë i ashpër në fjalimin e tij në Kuvend, ku nuk ka nguruar që të sulmojë opozitën e re, duke thënë se nuk kanë shanse që të marrin vota në zgjedhjet e ardhme, por edhe për presidentin Ilir Meta. Rama hodhi akuza në drejtim të kreut të shtetit sipas së cilit po kontakton me trafikantët që i prek OFL-ja.
"Ca kërkoni nga PS shërbëtoren tuaj apo të asaj që janë jashtë jemi këtu për ata që na kanë zgjedhur dhe për t'i shërbyer këtij vendi dhe e dini pse do vazhdojmë ta udhëheqim këtë vend, jo se jemi pa gabime apo të rënë nga qielli, por sepse ky popull nuk është budalla. Dhe ata që flasin në emër të popullit, qoftë përfaqësues i lartë apo i verbër në rrjetet sociale, është i destinuar që nga ky popull të marrë dënimim. Ua kamë thënë opozitës dhe po ua them dhe ju. Nuk merrni vota ju as me lista të hapura e as të shqyera se ju e dini popullin budalla, për aq kohë ju s'keni shans që të konkurroni PS. Listat janë të hapura, nuk kemi shpikur asnjë model, Do rrëzojmë një shpikje, që është karteli i partive me koalicione, ku votat i merr njëri dhe ia kalon tjetri pa pikë turpi dhe kushto që hyn në listë mund të zgjidhet, por duhet të marrë votat. Patjetër që PS nuk është as kompani fitimprurëse dhe nuk është as PD, as një furgon i shpikur KCK dhe as një tren mallrash si kartelet e koalicioneve të PD, është një familje politike ku ka rregulla dhe ka të drejtë që të rendisë skuadrën e vet, nga portieri te sulmuesi bashkë me rezerva dhe cdo rezervë që merr votat futet në fushë, shumë e thjeshtë. SHPK për të lëshuar deri në viktimat e OFL që kontaktohen nëpër skuta katundesh nga i pari i veendit nuk ka. T'i harroj Ilir Meta, që del e flet në emër të Kushtetutës me një gjuhë që mbase i shkon me viktimat e OLF, po nuk i shkon e PS dhe popullin shqiptar", tha Rama.
12:30h-Debati për Kodin Zgjedhor/ Hajdari: Në këtë sallë bëhen vetëm pazare

Deputetja e opozitës së re Rudina Hajdari ka bllokuar foltoren e Kuvendit, duke kërkuar që kjo seancë të mbyllet, pasi sipas saj është një aktrim i turpshëm. Për Hajdarin, Kuvendi, në vend që të mbrojë shqiptarët është shndërruar në vendin ku bëhen pazare. E njëjta gjë, sipas saj po bëhet edhe me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në fjalinë e saj me tone të ashpra, Hajdari ka bërë thirrje për reflektim që të hapen listat.
"Ju garantoj që këtë muaj shtator nuk kam reshtur duke iu takuar dhe duke marrë mendimet tuaja, dhe unë sot flas për ata shqiptarë që janë treguar shumë të të mençur se ata që kam takuar në këtë sallë. Ata e dinë shumë mirë që në këtë sallë ka vetëm mashtrime, këtu bëhen vetëm pazare, e dinë që kur kjo seancë përfundon, shumica ulen dhe bëjnë pazare dhe e shesin veten si patriot. Ka qenë kjo sallë plenare ku në 1992 i premtuar shqiptarëve që do të dënoni krimet e komunizmit, i mashtruat se nuk i bëtë, po unë jam me ata që janë të zhgënjyer se ju nuk e bëtë këtë, ka qenë kjo sallë ku ju u thatë shqiptarëve futini lekët në firma piramidale dhe e çuat vendit në tmerret më të mëdha që kanë kaluar, jam me ata që janë të zhgënjyer se ju i mashtruat ka qenë kjo sallë në 1998 se do ua ktheni lekët që do ua ktheni lekët e humbura në firmat piramidale.
Ka qenë kjo sallë prej 30 vitesh që u ka thënë shqiptarëve që në 2001 që do futeni në BE, sot është 2020 dhe ja ku jemi sot. Sot shqiptarët po ikin me kamion në Angli dhe Hollandë. Ka qenë kjo sallë se nuk do impononi plehra dhe në fund miratoni ligjin, dhe sot po tentoni t'i urdhëroni votën parapëlqyese, por në fund do e vendos unë. Mos u hiqni si patriot sikur e doni këtë vend, ju bëj thirrje reflektoni, ndaleni këtë seancë të turpshme që iu bëni qytetarëve, se jemi këtu për ata dhe jo për t'iu një grup njerëzish. Hapni listat se Kodi Zgjedhor ndryshohet një herë jo sa herë keni qejf ju, jepini mundësinë shqiptarëve të votojnë atë që duan, të ikin në kosh plehra. reflektoni deputetë, ndaloni këtë seancë dhe mos u bëni pjesë e këtij aktrimi të shëmtuar, çfarë do bëj, nuk e lë foltoren", tha Hajdari.
10:39h-Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Ruçi thirrje deputetëve: Debatoni dhe më pas votoni ligjet
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi në fillim në seancës plenare u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ruçi theksoi se ligjet dhe vendimet që do të miratojmë sot nuk janë produkt laboratori.
“Miratimi i Reformës Zgjedhiore u vonua nga pengesa të paparashikuara. Nuk ka qenë e lehtë të arrimin deri këtu. Unë ju ftoj sot që të shohim gjithmonë para. Në një republikë parlamentare, ligjet dhe vendimet që do të miratojmë sot nuk janë produkt laboratori. Si kryetar i Kuvendit do të falënderoja të gjithë, në mënyrë të veçantë do të falënderoj Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe të gjithë deputetët për këtë kontribut, edhe Këshillin politik, opozitën parlamentare dhe pozitën. Ju ftoj të gjithëve të debatojnë dhe në fund të votojmë pro ligjeve, që lidhen me zgjedhjet e vitit të ardhshëm.”, tha Ruçi.

Deputeti Lefter Maliqi e quajti seancën e sotme në Kuvend, një seancë turpi. Ai theksoi se mazhoranca ka frikë për zgjedhjet e ardhshme dhe prandaj kërkon të miratojë këto ndryshime.
“Sot është një seancë turpi, e pështirë e Rilindjes, me këtë po tregojnë frikën që kanë për zgjedhjet. Ku janë këta trima? Pse kanë frikë të ndryshojnë koalicionet, pse nuk duan të hapin listat? Këta kanë pushtetin në dorë. Ju sot po gënjeni dhe mashtroni të gjithë shqiptarët. Çfarë do që të bëni, ju nuk do të fitoni në zgjedhjet e ardhshme. Nëse nuk fiton e djathta e bashkuar në Berat unë do të largohem përfundimisht nga politika’, u shprehet Lefter Maliqi.
09:10h-Kuvendi voton sot ndryshimet në Kodin Zgjedhor pa opozitën
Kuvendi pritet të mblidhet sot në orën 10:00, ku pavarësisht kundërshtimit të Opozitës së Bashkuar dhe asaj parlamentare, pritet të votojë sot formulën e re të koalicioneve me listë unike.
Në urdhërin e firmosur nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, shihet që pika e parë e diskutimit është ajo e votimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.
Një ditë më parë, Opozita e bashkuar, e përfaqësuar nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë ngritur zërin kundër kalimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në Kuvend. Të dy janë shprehur se ndryshimet janë kundër rekomandimeve të OSBE-ODIHR, kjo pasi vota nuk preket dhe ndërkombëtarët kanë ashpërsuar retorikën e tyre.
Bylykbashi dhe Vasili janë të bindur se me marrëveshjen e 5 qershorit, e cila u “bekua” nga ndërkombëtarët vota nuk mund të preket, ndaj kryeministri Edi Rama po tenton që të ndërhyjë në zgjedhje në metoda të tjera. Ndërsa Vasili ka theksuar faktin që për koalicionet kurrë nuk ka pasur ‘ankesa’ nga ndërkombëtarët, madje formula ka siguruar edhe rotacionin politik.
Pavarësisht kundërshtimit të tyre të vazhdueshëm, edhe dy ditë më parë, PS miratoi në parim në Komisionin e Ligjeve, formulën e re të koalicioneve me listë unike, pa mbështetjen as të opozitës parlamentare qe vendosi braktisjen e mbledhjes.
Një tjetër zhvillim sot është dhe miratimi i anëtarëve të KQZ-së, duke mbyllur kështu procesin e reformës zgjedhore.
Gjithashtu në seancën e sotme pritet të shqyrtohet projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e Nënkomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe Projektvendimin “Për zgjedhjen e Komisionit Rregullator”.
Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe Projektvendimin “Për zgjedhjen e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve”.



