Në mbledhjen e parë të qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka kërkuar të gjithë anëtarëve të kabinetit të mos rreshtin së punuari për interesat e qytetarëve të Kosovës. Kurti paralajmëroi se nuk do të ketë kohë përtë qëndruar ulur në karrige.
"Është kënaqësi t’ju shoh të gjithëve të entuziazmuar për detyrën që keni marrë. Ju uroj të gjithëve për detyrat e juaja. Ky kabinet është i qytetarëve dhe ne do të punojmë për ta. Ata na e kanë dhënë besimin e mandatin. Energjia e qytetarit duhet të jenë motor për punën tonë. 100 ditët e para do të jenë të zëna me punë... Karriget i kemi, por më shumë do të rrimë në këmbë për punën që e kemi", tha Kurti.
Kreu i qeverisë së re të Kosovës u shpreh besimplotë në zgjedhjen e bërë për drejtimin e vendit.
"Unë nuk kam dyshim se ne kemi aftësi dhe shkathtësi. Sytë e të gjithë popullit janë të ky kabinet qeverisës. Le të bëhemi të thjeshtë e të drejtë", tha kreu i qeverisë.



