Politologu Ilir Kalemaj komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV zhvillimet e fundit në kampin demokrat, ku Berisha ka ankimuar në KAS vendimin e KQZ për mosregjistrim në zgjedhje, ndërsa Alibeaj ka afat deri në mesnatë për të plotësuar dokumentacionin lidhur me firmën e Bashës.
Kalemaj thotë se të dy palëve u ka munguar një strategji politike. Politologu thotë se Rithemelimi rrezikon seriozisht regjistrimin në zgjedhje, dhe nuk ka marrë masa për situatën, ndonëse ajo ishte e pritshme që një vit më parë. Sipas tij këto zgjedhje janë shumë vonë për t’u fituar nga opozita, përveç se nëse ndodh ndonjë alkimi e momenteve të fundit. Kalemaj thekson se fitues të zgjedhjeve të 14 majit përveç mazhorancës është Partia e Lirisë së Ilir Metës.
Në pikëpamje makro vë re që dy palëve u ka munguar një strategji politike për t’u ballafaquar me situatën ku ata janë aktualisht. Të dy palët kanë pritur të kalojë koha, pavarësisht se kishin indicie se drejt këtij skenari do të shkonin. Pala z.Alibeajt e dinte që s’ishte i legjitimuar as nga regjistri i partive, as nga statuti i partisë së tij, as nga statuti i Rithemelimit dhe tashmë as nga KQZ. Natyrisht s’mund të pritej të ishte z.Basha, që ka bërë dorëheqje publike, që të vazhdonte të ishte sërish kryetari në detyrë, që ka lënë një shkresë pa protokoll, pa numër, që i referohej ish-Presidentit Meta për dekretimin e zgjedhjeve, dhe tani të pritet që të jetë përsëri Basha kryetari. Ata po mundohen ta evitojnë këtë skenar, të shkojnë në KAS, sepse nuk duan të çojnë përsëri firmën e Bashës, sepse do legjitimonte faktin që Basha s’është dorëhequr asnjë herë. Pala tjetër e dinte që vendimi i Apelit do jepej në fotofinish. Pritej ose skenari që të të kthehej në Shkallë të Parë, ose t’i jepej vula palës Alibeaj. Atëherë pse u prit ky moment, kjo tregon mungesë strategjie politike. Në momentin që jemi më shumë dëm i bëhet Rithemelimit. Jemi përballë një paradoksi që ka shumë mundësi që Rithemelimi të mos dalë dot në zgjedhjet lokale, pasi duhet 1 për qind e firmave për kandidatë të pavarur, dhe dy parti parlamentare për të dalë me koalicion. E kanë të vështirë të thonë emrin e dy partive parlamentare do regjistrojnë kandidatët e Rithemelimit. Z.Meta është regjistruar më vete. Me ca sigle do regjistrohen?! Ligjërisht duhen dy sigla partish parlamentare. PL është regjistruar, ngelet PBDNJ që është basti më i sigurt, por kush është partia e dytë. Partia e Dukës ka refuzuar, PDIU po ashtu. Ngelet vetëm partia e Mediut, që për shkak të interesave personale, problemeve me drejtësinë, s’është pozicionuar. Rrezikon seriozisht Rithemelimi për t’u regjistruar në zgjedhje. Kjo dihej një vit më parë, pse s’u morën masa?!”
I pyetur nëse e sheh grupimin Alibeaj si artific të pushtetit, Kalemaj tha:
Pak rëndësi ka se kush ka shumicën e atyre 44 mijë anëtarëve. Le ta zëmë që Berisha ka 40 mijë, a mjaftojnë ata për të ardhur në pushtet? Jo duhet minimalisht 15-fishi i tyre për të thyer tavanin e Ramës. Puna është kush merr votën gri, votën e lëkundur, të simpatizantëve. Berisha dhe Meta bashkë s’arritën ta thyenin as 8 vjet më parë. Rasti më i mirë ishte 25 prilli, ku PD arriti 620 mijë vota, ku bashkë me Metën, diferenca me kampin tjetër ishte 30 mijë vota. Njerëzit s’mund të përdoren mish për top për një kohë të gjatë. Vjen momenti që lodhen që zhgënjehen. Nëse rri 12 vjet në opozitë, cili është motivimi?”
Pyetjes nëse humb gjë Berisha nëse shkon me logon e Partisë së Lirisë, Kalemaj iu përgjigj:
Historia 30-vjeçare është që vula ka pasur rëndësi. Të gjitha partitë që janë shkëputur nga vula kanë qëlluar flluska sapuni, nga Aleanca Demokratike, te Social-Demokratët, për të ardhur te PDR e Pollos. E vetmja parti që është kthyer me faktor elektoral ka qenë LSI, që mori një fluks të konsiderueshëm të PS. Në rastin konkret kemi një rast të paprecedentë, sepse shumica shkëputet nga sigla. Sigla do ketë peshën e vet për të nxjerrë një lloj rezultati, që afatshkurtër mund të jetë dëmsjellës për opozitën, por afatgjatë mund të ketë një koalicion ose federatë.
Opozita ka dështuar të ketë një epërsi morale. Ramës i duhet opozita e Alibeajt, sepse është amnistia fiskale, legalizimi i kanabisit, ndryshimet e Kushtetutës, reforma në drejtësi. Një opozitë luajale është në favor të Ramës. Palët duhet të lënë mënjanë çdo gjuhë asgjësuese dhe të ngrenë ura bashkëpunimi. Ngërçi është shkaktuar nga vet ata që janë aty. Ky skenar na çon në rastin më të mirë në 6 mars. Pamë që e djathta pësoi një humbje katastrofale, mori vetëm një që është bastion historik. Cilat janë shanset nëse dalim me 2-3 kandidatë, që e djathta të thyejë Ramën në më shumë se 20 bashki?! Këto zgjedhje janë shumë vonë për t’u fituar, veçse nëse ndodh ndonjë alkimi e momenteve të fundit”.
Kalemaj nuk sheh mundësi të shtyrjes së zgjedhjeve, ndërsa shpjegon se përse e sheh PL si fituese të procesit të 14 majit.
Nuk e shoh këtë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve. Pala e Alibeajt po pret që ta ankimojë në KAS, pala e Berishës e ankimoi në KAS. Ka edhe një mundësi tjetër Kolegji Zgjedhor. Mendoj që një sigël do ta kemi të regjistruar, në mos dy sigla. Sigla e Alibeajt me shumë gjasë do regjistrohet. Rithemelimi do regjistrohet me shumë mundësi me siglën e PL apo çfarëdo sigle tjetër. Të vetmin fitues që shoh nga këto zgjedhje, përveç mazhorancës, është PL. Basti i tyre dhe strategjia politike është i qartë, hyjnë për t’u testuar elektoralisht, pavarësisht firove që mund të kenë pasur nga deputeti i Shkodrës, hyjnë të motivuar me një Meta të rikthyer fuqishëm në krye të partisë. Kanë risk zero sepse s’kanë kandidatë. Sa më shumë vota të marrin, duke përfituar nga dobësia e partnerit të madh, aq më tepër do marrin në pjesën e pazarit të koalicionit para apo paszgjedhor”.



