Në një analizë të gjatë në studion e MCN Live, analisti Pano Soko komentoi protestën që prej 30 ditësh vijon në vend, duke e përshkruar atë si një lëvizje pa strukturë të qartë drejtuese, por si një shprehje të drejtpërdrejtë të pakënaqësisë qytetare me një kërkesë të vetme të unifikuar: dorëheqjen e kryeministrit.
Sipas tij, protesta nuk mund të lexohet përmes skemave tradicionale politike, pasi nuk ka një organizim klasik dhe as një drejtim formal, por përfaqëson një bashkim të shtresave të ndryshme shoqërore.
Çfarë është ajo protestë? Ajo nuk është një strukturë monolite… aty ka njerëz që nuk e shohin dot njëri-tjetrin me sy, është një përzierje e shumë shtresave, projektimi i një populli të tërë, ajo është frymë. Ajo protestë nuk drejtohet nga njeri, nuk ka drejtues. Ajo drejtohet nga kërkesa e vetme që është dorëheqja e kryeministrit Rama.
Soko shtoi se çdo tentativë për ta strukturuar politikisht protestën është e pamjaftueshme.
Nuk mund t’i japësh formë dhe drejtim, aty të thërret fryma. Nuk ka organizator, nuk ka menaxhim klasik.
Duke e zhvendosur analizën te ndikimi politik, Soko tha se protestat duhet të shërbejnë si sinjal reflektimi për partitë politike, veçanërisht për opozitën dhe mazhorancën. Ai u ndal edhe te Partia Demokratike, duke thënë se ajo duhet të reformohet për të përfaqësuar realisht qytetarët që protestojnë.
PD duhet të reflektojë vetë para se të bëhet zëri i qytetarëve… gjysma e protestuesve lidhen me lidershipin e saj dhe duhet patjetër të reformohet.
Për Partinë Socialiste, ai tha se pushteti sjell edhe përgjegjësi dhe interesat e veta, ndërsa shtoi se sinjalet nga terreni politik nuk janë pozitive për mazhorancën.
Socialistët kanë pushtetin, natyrisht që duke e pasur pushtetin kanë edhe interesat.
Në analizën e tij, Pano Soko u ndal edhe te qëndrimi i brendshëm në Partinë Socialiste, duke sugjeruar se mbështetja për kryeministrin nuk është e plotë.
Shqetësimi i Ramës është që nuk ka mbështetjen e grupit të tij parlamentar. Edhe nga vetë deputetët socialistë ka pasur mbështetje të ulët, ka një mospërputhje brenda.
Soko komentoi edhe deklarimet e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila kishte shprehur se mbetet në Partinë Socialiste. “Unë jam dhe do jem në PS”, u citua ajo, ndërsa Soko e interpretoi këtë qëndrim si të vonuar në raport me zhvillimet politike:
Pak si vonë mendoj unë, tani është bërë dëmi… jemi vonë në këto reagime.
Në përfundim, analisti theksoi se protestat nuk mund të reduktohen në një strukturë politike apo në një drejtim formal, por sipas tij ato përfaqësojnë një “emërues të përbashkët” të pakënaqësisë qytetare, i cili, siç tha ai, kërkon vetëm një gjë: dorëheqjen e kryeministrit.



