
Në programin e mëngjesit në “Zgjohu me MCN”, erdhi sot historia e trishtë po aq edhe domethënëse për jetën e 9-vjeçarit, Benjamin Beqiri nga Prizreni, i cili po përballet me disa sëmundje që lindje të tij bashkë me dhimbjen për humbjen e të atit në moshën 2-vjeç.
Megjithëkëtë Benjamini teksa numëron sëmundjen nga e cila vuan, shprehet se ëndrrat e tij për jetën janë të mëdha dhe ajo më e madhja pos shërimit është të ketë një shtëpi të tij.
Unë kur kam qenë 2 vjeç, babi më ka ndërruar jetë nga një sëmundje që quhet kancer, pastaj kur u rrita mami më tregoj për këtë gjë.
Ajo më është gjendur përherë pranë sepse unë jam alergjik në çdo gjë që kur ka lindur. Unë vuaj poashtu nga ekzema dhe shumë lloje alergjish nga veza, qumështi, mishi i bardhë, mielli, domatja, etj. Është shumë e vështirë por unë u mësova tashmë më sëmundjen.
Jam nxënës i mirë në shkollë, pa shkollën nuk do dija asgjë, shkoj edhe në xhami.
Ëndrrat e mia të mëdha janë që të më hiqet alergjia, por ëndrra ime e madhe është që të kem një shtëpi time.
Jam ndier i emocionuar kur më ndihmojnë shokët dhe shoqja ime Tara me ka ndihmuar shumë për të siguruar para për shërimin tim.
Me gjithë këto alergji, Benjamini e ka të domosdoshme 1 gjilpërë në muaj që kushton 2250€ dhe ka nevojë për ndihmë mjekësore në Turqi.
Nisur nga kjo shoqja e klasës, Tara Alija ka marrë iniciativë që përmes shitjes së pikturave të saj të mbledh fonde për shërimin e tij.
Ideja ime për të ndihmuar shokun është përkrahur shumë sepse ai duhet të trajtohet në Turqi.
Unë në fillim e kam shprehur dëshirën te mami im, u tregova më pas shokëve dhe ata ishin krenar për këtë ide, poashtu ata më kanë ndihmuar.
Pikturat kanë filluar të shiten, deri tani janë shitur 28 piktura. Të shtunën kam fituar 650€ dhe dua t’ia dhuroj Benjaminit.



