Korrupsioni, mungesa e transparencës dhe garës në prokurime, praktikat e partneritetit publik-privat (PPP) dhe ato të bizneseve informale mbeten problemet kryesore që sipas Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) dëmtojnë klimën e biznesit dhe pengojnë investimet e huaja në Shqipëri.
Në raportin e fundit për klimën e biznesit në Shqipëri, DASH vlerëson programin e qeverisë për të kaluar në portalin online të “e-Albania” pjesën kryesore të shërbimeve publike, megjithatë ajo vë në dukje se për investitorët e huaj mbeten ende të pranishme problemet e shkuara të cilat pengojnë investimet në Shqipëri.
“Qeveria ka bërë përparime domethënëse me agjendën e revolucionit digjital. Në janar 2020, 61 për qind e shërbimeve publike ndaj qytetarëve dhe bizneseve u mundësuan online përmes portalit e-Albania, më shumë se 15 për qind se në vitin 2019. Reforma është në vazhdim, dhe qeveria synon që në dhjetor 2020, 91 për qind e gjithë shërbimeve të jenë të mundshme online. Kjo mund të ndihmojë në uljen e kurbës së korrupsionit pasi kufizohen kontaktet direkte të funksionarëve publik,” thuhet në raportin e DASH.
Pavarësisht kësaj, kjo nuk i ka mënjanuar problemet e vazhdueshme që mbeten në Shqipëri, siç janë korrupsioni, mungesa e transparencës apo garës në tenderë dhe sidomos mungesa e sundimit të ligjit.
“Investitorët e huaj e shohin Shqipërinë si vend ku vështirë të bëhet biznes. Ata përmendin si probleme të vazhdueshme në Shqipëri korrupsionin, në veçanti në sistemin gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimet publike, dhe respektim i dobët i kontratave. Rritja e përdorimit të kontratave me partneritet publik-privat në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë, ul mundësinë e konkurrencës, përfshirë këtu edhe nga investitorët e huaj,” shprehet DASH.
“Investitorët amerikanë pengohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave të biznesit informal. Shumë investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të vazhdueshme si nga ente publike po ashtu dhe nga ente private, përfshirë edhe disa që shkuan në abritrazh ndërkombëtar. Në vitin 2019 dhe 2020, një kompani amerikane që u përpoq të investonte dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të tjera të interesuara që u përfshinë në mosmarrëveshje për investimin,” citohet nga raporti.
Sipas raportit, “Shqipëria perceptohet si një nga vendet me korrupsion të lartë. Korrupsioni endemik vazhdon të minojë sundimin e ligjit dhe të manipulojë apo frenojë zhvillimin ekonomik. Këto janë arsyet pse SHBA nuk figuron në vendet e para për investimet e huaja direkte”.
* * *
Qytetarët: Të gjitha qeveritë, të korruptuara
I njëjti nivel perceptimi për korrupsionin ekziston edhe te qytetarët shqiptarë. Të pyetur nga TvT, ata thonë se të gjitha qeveritë deri tani në Shqipëri kanë qenë të korruptuara.



