Fëmija nga Laçi, i cili dyshohej të ishte prekur nga dizenteria, ka rezultuar pozitiv për këtë infeksion. Kjo është konfirmuar nga përgjigjet e analizave, të cilat kanë dalë mbrëmjen e së premtes.
Aktualisht, i mituri po merr trajtim në Qendrën Spitalore Universitare (QSUT) në Tiranë, ndërsa situata ka aktivizuar menjëherë Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Bashkinë Kurbin, ku është ngritur një grup pune për menaxhimin e rastit.
Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e infeksionit, Kopshti Nr.1 është mbyllur menjëherë dhe janë realizuar dezinfektimet e nevojshme të ambienteve.
Të gjithë fëmijët e këtij kopshti kanë kaluar analiza, dhe tani priten rezultatet për të verifikuar nëse ka raste të tjera të prekur. Ky institucion parashkollor do të qëndrojë i mbyllur deri në përfundimin e kontrollit të plotë shëndetësor.
Fëmija i prekur dizenteri intestinale kishte shfaqur temperature dhe probleme të tjera shëndetësore për disa ditë më radhe.
Fillimisht u trajtua në Spitalin e Lezhës por gjendja e tij nuk u përmirësua dhe u vendos të dërgohet në QSUT ku pas analizave u diagnostikua me dizenteri.
Ndërkohë nisur nga ku rast infeksioni Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Lezhë kërkon sensibilizimin e të gjithë qytetareve lezhjan që të jenë të vëmendshëm për rastet që mund të shfaqin simptoma apo shenja te reagojnë menjëherë për te parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje në masë.
Dizenteria është një infeksion i zorrëve që shkakton diarre të rëndë me gjak dhe mukus.
Ajo mund të shoqërohet me dhimbje barku, ethe dhe dehidrim.
Dizenteria përhapet kryesisht përmes ujit ose ushqimit të kontaminuar dhe higjienës së dobët.



