
Gazetari Armand Plaka tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN tv se njohja ndërkombëtarisht e Kosovës mbetet një sfidë kryesore ashtu sikurse dhe vijimësia e dialogut me Serbinë që ende nuk po sheh një dritë jeshile.
E shoh si një përvjetor në të cilin populli i Kosovës ka të drejtë për të festuar e ka diçka për të kujtuar, por nga ana tjetër përpara mbeten shumë sfida; njohja ndërkombëtare e Kosovës dhe përfundimi i një procesi shumë të vështirë dialogu që ende nuk duket se ofron ndonjë dritë jeshile.
Sfidë madhore mbetet ngritja e shtetit të së drejtës, ekonomia e përballja me sfidat sociale. Kosova ka tipare pandemike që hasen edhe në rajon, por edhe endemike, pra sfida të cilat hasen vetëm në Kosovë.
Plaka tha se “Ballkani i Hapur” është një problem më të cilin Kosova do të vazhdojë të përballet. Gazetari shtoi se kjo iniciatiavë e nisur nga Vuçiç dhe Rama e kanë futur Kosovën në një silet, nga i cili nuk po mundet të dalë.
Do të vazhdojë të jetë një problem me të cilin Kosova do të vazhdojë të përballet. Nuk e krijoi vetë. Ishte iniciativë e mbjellë nga dy liderë të tjerë që e ka futur Kosovën tashmë në një siklet, nga ai cili nuk po mundet dot të dalë. Përballë kësaj, Kosova sjell në tavolinë opsionet e tjera alternative siç janë iniciativat e financuara, mbeshtetura e të monitorurara nga Brukseli dhe Berlini. Kryeministri kosovar Kurti theksoi ditët e fundit me të madhe se Procesi i Berlinit është procesi në të cilin është kyçur tashmë Kosova.
Plaka tha se ka një vazhdim të politikës së Merkelit nga kancelari gjerman. Ai shtoi se Kosova kishte një vend primar në deklaratën e Qeverisë Federale Gjermane pas vizitave të Kancelarit Scholz në Rajon.
Kam fjalët më të mira për performancën e Kancelarit gjerman dhe politikës së jashtme të Gjermanisë të kryesuar nga Annalena Baerbock. Duke pasur parasysh profilin e të Gjelbërve, shohim një vazhdimësi të politikës së Merkelit, por dhe deklarata të guximshme nga Kancelari që e kanë çuar edhe me përpara rolin e Gjermanisë.
Duhet thënë se dhe në deklaratën e Qeverisë Gjermane, Kosova zinte një vend primar, e ky është një hap pozitiv për Kosovën, dhe kështu është pritur dhe nga klasa politike e analistët në Kosove. Ka pasur dhe mesazhe të fshehura, por e shoh personalisht si shenjë pozitive dhe ecje përpara”.
Merkel gjithashtu pati deklaruar në Beograd 10 apo 11 vite më parë, se të dyja vendet duhet të shkojnë drejt njohjes-reciproke.
Në lidhje me aleancën e re që po shihet në horizont, atë mes Francës dhe Italisë, sipas një analize të fundit të Deustche Welle-s, Plaka tha:
DW është një ent publik apo shtetëror që i bën jehonë sigurisht edhe politikave të qeverisë federale, që mbahet nga taksapaguesit gjermanë. Ka meritën që duke qenë shumë e ndjeshmë ndaj partnerit tashmë prej dekadash siç është Franca, ka arritur të pikasë atë çka derimë tani pothuajse nuk e kishin pikasur politikanë dhe analistë, siç është pra një lloj aleancë e re midis Francës dhe Italisë. Ka edhe nota pak xhelozie, por kuptohet që konstatimi i gjermanëvë në këtë aspekt është i drejtë. Ngrihen aty shumë pikëpyetje, në vijë të parë ajo që na intereson ne është një lloj kompaktësie, që deri diku është e pa vënë re deri tani, midis Francës dhe Italisë përsa i përket zgjerimit të BE-së. Kuptohet që Franca ka kohë, po artikulon një lloj statusi të veçantë për vende të tilla kandidate ku bën pjesë edhe Shqipëria, çka ka bërë që të ngrihen pak tonet e zhgënjimit në rajonin tonë, posaçërisht në Shqipëri. Nuk kemi arritur deri tani të kuptonim qartë rolin e Italisë, e cila kuptohet se në këtë aspekt i është bashkuar Francës. Ky është vetëm njëri aspekt, por aspekti tjetër ka një lloj kompaktësie me Francën edhe politikat ndaj Rusisë, pas shpërthimit të konfliktit, në lidhje me atë që quhet zgjidhja e konfliktit.
Pra kemi një këndvështrim ndryshe të Gjermanisë, nga njëri-krah dhe ndryshe të Francës të mbështetur nga Italia në krahun tjetër. Ndërkohë që duhet thënë është dhe një front i tretë, një pol i fortë, i kryesuar nga vendet balltike dhe Polonia, kuptohet kanë një qasje shumë më radikale ndaj Rusisë. Kujtoj këtu edhe deklaratën e fundit të presidentin të Polonisë, Duda i cili kritikonte ashpër deklaratat e fundit të Presidentit Macron, në lidhje me atë si mund të zgjidhet ky konflik pa turpëruar Rusinë, derisa bënte paralele historike me kohën e Hitlerit, duke thënë se në atë kohë kishte një kompaktësi të gjithë aleatëve dhe se atë kohë askush nuk bënte telefonata me Hitlerin dhe se askush nuk kishte në atë kohë hallin a do të turpërohej apo jo Hitleri por i ishin vënë një objektivi, si ta bënin Hitlerin ta humbte atë luftë. Paralelet historike nuk shumë aspekte vlejnë, në shumë aspekte të tjera nuk vlejnë, sepse realitetet e sotshme politike ndërkombëtare janë tërësisht të ndryshme. Ajo që dua të them është që Italia ka marrë një rol që deri dje nuk e ka pasur, në përputhje me objektivat e saj por edhe me profilin qe ka ‘qeveria Draghi’, një profil gjithëpërfshirës, një qeveri gjithëpërfshirëse me karakter teknik, e cila përballë opinionit publik, pas një krize të rëndë siç ishte përballja me pandeminë, apo krizave të shpeshta qeveritare kërkon të sendërtojë një profil të ri politik të qëndrueshëm dhe aktiv në skenën ndërkombëtare, posaçërisht në lidhje me konfliktin më të fundit që ka bërë që të lëvizin të gjithë motorrët e politikës botërore.
Në krahun tjetër mund të them që Gjermani po mban një qëndrim të drejtë stoik, sikuse dhe shumë diplomatik kuptohet që Scholz është shumë i kujdesshëm, thuhet aty edhe në analizën e DW. Është treguar shumë i kujdesshëm, pra, që as të mos e atakojë direkt Putinin nga një krah, por edhe t’i japë pak udhë edhe iniciativave franceze.
Por, edhe sikurse thashë në fillim të kësaj ndërhyrjeje, aty vihen re, edhe ca nota xhelozie të palës gjermane e cila mendon se kështu po humbet një partner, ose një partneritet të mbjellë prej dekadash, ai franko-gjerman, i bekuar nga shumë administrate si në Francë ashtu edhe në Republikën Federale.



