Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka qenë dëshmitarja e radhës në Komisionin Hetimor për inceneratorët.
Ajo ka mohuar pretendimet e kryetares së komisionit Jorida Tabaku, se kryebashkiakja ka pasur presion nga Rama për t’i çuar plehrat në inceneratorin e Sharrës.
Tabaku tha se Alqi Bllako i ka detyruar që mbetjet të sillen në Tiranë, ku punonte babai i tij.
DISKUTIME
Tabaku: A kishe presion nga kryeministri për t’i lënë plehrat në Durrës dhe t’i çoje në inceneratorin e Sharrës?
Sako: Absolutisht jo, ky është një shembull që duhet ndjekur.
Tabaku: Lexova një intervistë të ish-kryebashkiakut Dako që thotë: Për ne është e padrejtë ta bëjmë këtë procedurë pa garë.
Sako: Nuk është pa garë.
Tabaku: Kjo e falimenton bashkinë e Durrësit thotë Dako.
Sako: Unë duhet të komentoj një kryetar bashkie para meje?! Pikërisht për këto arsye kemi marrë mbështetje nga qeveria shqiptare…
Tabaku: Komunikimin me arrogancë ta lëmë jashtë sallës, jeni një politikane e re, të reflektojmë pozitivitet. I gjithë presioni publik i Durrësit ju ka detyruar të negocioni me Sharrën për t’i krijuar biznes inceneratorit të Sharrës.
Sako: Jam krenare për këtë zgjidhje sepse Durrësi është qytet turistik.



