
Presidentja Tsai Ing-wen thotë se Tajvani nuk do t'i nënshtrohet presionit nga Kina dhe do të vazhdojë mënyrën e saj demokratike të jetës, ndërsa tensionet mbi ishullin vazhdojnë.
"Sa më shumë që arrijmë, aq më i madh është presioni me të cilin përballemi nga Kina", tha zonja Tsai.
Fjalimi i saj në Ditën Kombëtare të Tajvanit erdhi pasi Presidenti i Kinës Xi Jinping u zotua të "përmbushë ribashkimin".
Tajvani e konsideron veten një shtet sovran, ndërsa Kina e shikon atë si një provincë të shkëputur. Pekini nuk ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës për të arritur bashkimin.
Kina ka dërguar një numër rekord avionësh ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit ditët e fundit. Disa analistë thanë se fluturimet mund të shihen si një paralajmërim për presidentin e Tajvanit.
Znj Tsai tha se Tajvani "qëndronte në vijën e parë të mbrojtjes të demokracisë". Ishulli nuk mund të detyrohet të marrë "rrugën që Kina na ka vendosur", për të cilën ajo tha se nuk ofron liri, demokraci apo sovranitet.
Fluturimet ushtarake të Kinës në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit kishin ndikuar seriozisht në sigurinë kombëtare dhe sigurinë e aviacionit, tha ajo, dhe situata ishte "më komplekse dhe fluide se në çdo pikë tjetër në 72 vitet e fundit".
Tajvani nuk do të "veprojë me nxitim", por do të forcojë mbrojtjen e tij, tha ajo.
Ajo përsëriti një ofertë për të folur me udhëheqësit kinezë në mënyrë të barabartë, një sugjerim që Pekini, i cili e quan atë një "separatiste", e ka refuzuar deri më tani.



