
Banorët e Cakranit dhe të fshatrave të Ballagatit kanë shpërthyer në akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar largimin e shërbimeve si një strategji të qëllimshme për shpopullimin e zonave rurale. Në dëshmitë e tyre për emisionin “FOL”, ata flasin për një realitet dramatik: mungesë rrugësh, uji dhe energjie, ndërsa tashmë u rrezikohet edhe shërbimi bazë i Gjendjes Civile.
Në Cakran, ku jetojnë rreth 17 mijë banorë në 13 fshatra, vendimi për zhvendosjen e zyrës së Gjendjes Civile drejt Levanit ka ndezur revoltë. “Këtu ka mbetur vetëm mosha e tretë. Si do shkojë një 80-vjeçar në Levan për një certifikatë?”, shprehen banorët. Ata theksojnë se për një dokument të thjeshtë duhet të paguajnë deri në 20 mijë lekë transport, ndërkohë që pensionet mezi mbulojnë ilaçet.
Akuza shkojnë drejtpërdrejt ndaj kryeministrit, të cilin disa banorë e quajnë hapur “pallosh”, duke e bërë përgjegjës për atë që e konsiderojnë braktisje dhe shkatërrim të qëllimshëm të zonës. “Po na shtyp me këmbë. Po e boshatis këtë vend”, deklarojnë ata, ndërsa paralajmërojnë përshkallëzim të protestës deri në bllokimin e autostradës.
Në të njëjtën kohë, në fshatrat e Ballagatit, banorët jetojnë në kushte që i krahasojnë me Mesjetën. Ata transportojnë të sëmurët me barrelë në mungesë rruge, hapin puse me miliona lekë nga xhepi dhe mbijetojnë falë emigracionit. “Këtu nuk jetohet më, po ikim të gjithë”, është refreni që përsëritet.
Sipas tyre, heqja e shërbimeve si Gjendja Civile nuk është rastësi, por pjesë e një skeme për të detyruar largimin përfundimtar të banorëve. “Kjo bëhet për shpopullim. Po na detyrojnë të ikim”, thonë ata, duke kërkuar reagim urgjent dhe rikthimin e institucioneve në zonë.



