6 miliardë euro është fondi që BE ka planifikuar për Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2027. Duke komentuar samitin e mbajtur në Tiranë gazetari Klodian Tomorri tha në “Mcn Economy” se e gjithë kjo paketë në finale nuk përbën më shumë se 1 për qind të GDP-ve të vendeve të rajonit. Tomorri tha që Samiti ishte më tepër një show pasi ndihma ekonomike, një pjesë e të cilës është në kredi, nuk kompenson dot konkurrencën e padrejtë të BE-së kundrejt Shqipërisë.
Shifra 6 miliardë euro, edhe nëse duket si impresionuese, një shifër e madhe, praktikisht është asgjë. Bëhet fjalë për 6 miliardë euro që alokohen për një pierudhë 4 vjecare. Më shumë se gjysma janë kredi, dhe s’ke ndonjë përfitim të madh se po merr kredi, sepse kredinë mund ta marrësh edhe në treg. Mund të jetë me norma më të lira, por s’përbën ndonjë diferencë të madhe. Janë gati 700 milionë euro në vit që vijnë në formë grantesh. Bëhet fjalë për 6 vende, Shqipërisë i takojnë 250 milionë euro, nga të cilat 100 milionë euro në vit janë grante. Nëse merr këto shifra dhe i përplas me shifrat e GDP-ve, është më pak se 1 për qind e GDP-së. Gjithë kjo paketë e madhe në finale është 1 për qind e GDP-së. Nuk shoh ndonjë plan aq të madh sa propagandohet. Është në nivelet e asistencës që BE ka dhënë për Shqipërinë gjatë viteteve të shkuara. Kjo historia që duhet të plotësojmë kushtet për të marrë kredi, e bën edhe më qesharake. Nuk është aq e madhe sa propagandohet. Është e gjitha një fiasko, një show politik. Samiti në Tiranë ishte më tepër një show se sa një instrument që kërkon të zgjidhë problemet ekonomike të rajonit. 1,5 miliardë euro në vit, për një rajon me GDP 150 miliardë euro, s’është asgjë. Kam frikë që nuk kompenson dot as konkurrencën e padrejtë që BE i bën Shqipërisë. BE subvencionon me male parash fermerët e tij. Shqipëria s’e ka atë mundësi, imagjinoni sa të disavantazhuar janë fermerët shqiptarë me ata të BE".



