Një ngjarje e ngjashme me atë që paraqitet në filmin “Rrugë të bardha” ka ndodhur në Kukës. Një punonjës i OST-së rrezikoi të humbte jetën duke u ngrirë në shtyllë pasi kishte shkuar të riparonte dëmtimin e linjës 110 kV Kalimash – Kukës.
Sipas njoftimit të OST-së, Ramadan Hallaçi, 57 vjeç, me detyrë teknik linjash prej më shumë se 25 vjetësh, ka qenë në detyrë në brigadën e Kukësit, ku pasi riparoi pjesën e parë të linjës 110 kV Kalimash – Kukës të dëmtuar nga dëbora, vijoi punën për pjesën tjetër të linjës, mbi 20 km të gjatë.
Pas më shumë se 7 orë punë në shtyllë dhe në terren të vështirë, në zonën e Qafë Malit, me temperaturë -9* celsius, punonjësi pësoi hiportermi. Fatmirësisht, ngjarja nuk rezultoi tragjike për një punonjës të OST-së i cili është tani jashtë rrezikut për jetën.



