Përgjimet e prokurorisë italiane ndaj të ashtuquajturit grupi i Habiljave i hapën rrugën një furtune të vërtetë politikë në Shqipëri. Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Parlamentit dhënien e autorizimit për hetimin ndaj deputetit socialist, Saimir Tahiri, pasi emri i tij doli nga përgjimet mes pjesëtarëve të grupit që kishte kryer trafikimin e disa sasive të mëdha droge nga Shqipëria drejt Italisë dhe Greqisë.
Kjo është hera e dytë në historinë e Parlamentit shqiptar që përgjimet bëhen shkak për nisjen e një hetimi, që më parë kërkon zhveshjen e të dyshuarit nga imuniteti parlamentar. Rasti i parë ka qenë ai i shkurtit 2011, kur në dy seanca të ndryshme iu hoq imuniteti zv.kryeministrit të asaj kohe, Ilir Meta, dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti.
Në 16 shkurt 2011, Parlamenti shqiptar votoi për heqjen e imunitetit parlamentar deputetit dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, i dyshuar nga prokuroria se ka bërë presion për të marrë rryshfet ndaj ish-ministrit të ekonomisë, Dritan Prifti, në një video të regjistruar nga ky i fundit.
Pothuaj të gjithë deputetët e pranishëm votuan pro 128, dhe vetëm 2 kundër heqjes së imunitetit të Metës, i cili në atë kohë tha në Parlament se ai “nuk ka bërë presion për rryshfet”, se “videoja është e montuar” dhe se ai “ka pranuar të hetohet shumë javë më parë”. Zoti Meta tha se “kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit ishte shumë e vonuar”, dhe se me shmangien e kësaj vonese mund të ishin shmangur edhe ngjarjet e dhunshme të 21 janarit.
Ndërsa në seancën e 24 shkurtit, Parlamenti vototi heqjen e imunitetit parlamentar të ish-ministrit të ekonomisë Dritan Prifti, i dyshuar nga prokuroria se ka ndarë rryshfete me vartësin e tij, bazuar në një video të regjistruar nga vetë deputeti. Pothuaj të gjithë deputetët e pranishëm votuan pro, 119 dhe vetëm 3 kundër heqjes së imunitetit të tij, ndërsa deputeti Prifti mungoi në seancë.
Në një letër drejtuar kryetares së parlamentit theksoi se ishte i gatshëm për heqjen e imunitetit dhe do të bashkëpunonte me drejtësinë për zbardhjen e ngjarjeve.



