
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka thënë se çdo shtet është vlerësuar në bazë të meritave të veta.
Sa i përket Kosovës, shefja e diplomacisë së BE-së, ka deklaruar se fillimi i draftit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ka nisur punën në Prishtinë dhe ky është lajm i mirë.
Mogherini vlerësoi se dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë, dhe se duhet të implementohen marrëveshjet e arritura deri më tani. Ajo ka inkurajuar palët që të vazhdojnë punën, pasi ka edhe çështje tjera që duhet implementuar nga marrëveshjet e Brukselit.
“Besoj fuqishëm se një marrëveshje mund të arrihet për normalizimin e marrëdhënieve, por ka shumë për të bërë. Shoh se ka përcaktim nga të dyja vendet për ta bërë këtë. Lidershipi aktual, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, janë të ndërgjegjshëm dhe e dinë se është koha për të ecur përpara, që të kemi një situate më të mirë për Prishtinën dhe Beogradin”, tha Mogherini.



